Lajmet e fundit

Lumezi i kërkon Fazliut të dhëna konkrete për prokurorët që kanë bërë lëshime

Është mbajtur takimi i njëqindeshtatë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, njëherësh edhe kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës morën vendim për shpalljen e konkursit për një prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, pasi që, prokurori Jusuf Mejzini, mbush moshën e pensionimit (65).
Po ashtu, anëtarët e KPK-së, morën vendim që të shpallet konkursi për anëtarin e shoqërisë civile. Ndërkaq, për Odën e Avokatëve dhe Fakultetet Juridike, të dërgohet njoftimi për nominimin e kandidatëve për anëtarë të KPK-së, nga radhët e këtyre institucioneve, të cilat më pas do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës.

Po sot, anëtarët e KPK-së, me disa plotësim ndryshime, aprovuan rregulloren për emërimin e kryeprokurorëve, rregullore përmes së cilës përcaktohet procedura e emërimit të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Kryeprokurorit të Apelit dhe kryeprokurorëve të prokurorive themelore të Kosovës.
Anëtarët e KPK-së, aprovuan rregulloren për skemën e kompensimit të anëtarëve dhe komisioneve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, me disa plotësim ndryshime. Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e mënyrës dhe shumës së kompensimit të anëtarëve të KPK-së.

Vlen të theksohet se gjatë këtij takimi u aprovua edhe rregullorja për punën e komisionit disiplinor dhe procedurës disiplinore për prokurorë. Kjo rregullore përcakton organizimin dhe funksionimin e Komisionit Disiplinor si komision i përhershëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe procedurën disiplinore që zhvillohet ndaj prokurorëve. Rregullorja do të përcaktojë rregullat e procedurës disiplinore që zhvillohen ndaj prokurorëve, të iniciuara nga Zyra e Prokurorit Disiplinor.

Ndërkaq, Koordinatori kombëtar për Luftimin e krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, ka prezantuar Manualin për sekuestrimin dhe konfiskimin pasurisë në Kosovë, si dhe raportin tre mujor (korrik-shtator) 2015 për aktivitetet dhe rekomandimet e koordinatorit kombëtar për Luftimin e krimit Ekonomik. Këto raporte u aprovuan nga anëtarët e Këshillit Prokurorial. Ndërsa, Kryetari i Këshillit Prokurorial, Aleksandër Lumezi, kërkoi nga koordinatori Fazliu, që në raportin e ardhshëm të prezantohen raportet me të dhëna konkrete, më emra të prokurorëve, të cilët kanë bërë lëshime në rastet konkrete. Po ashtu, kryetari Lumezi, kërkoi që emrat e këtyre prokurorëve, më pas të dërgohen tek Prokurori Disiplinor për marrjen e masave konkrete.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe ndryshimi i vendimit të Komisionit për zgjedhjen e drejtorit në SZKPSH, pasi që në përbërjen e parë nuk ka pasur të përfshirë në komision anëtarë nga gjinia femërore. Në vend të anëtarit Lulzim Sulejmani u caktua prokurorja Drita Hajdari.
Pika e fundit e këtij takimi ishte kërkesa e prokurorit Besim Susuri, për transferim nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në atë të Prizrenit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.