Dogana e Kosovës në bashkëpunim me EULEX mbajtën sot një punëtori mbi mbrojtjen e shëndetit publik te konsumatorëve nga mallrat e falsifikuara.
Lulzim Rafuna, Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës tha se derisa falsifikohen markat e huaja në Kosovë, kjo i demotivon investitorët e rinj.
“Investitorët nuk do investojnë në Kosovë në qoftë se në vendin tonë prodhohen ose falsifikohen marka të ndryshme”, tha Rafuna.
Peter Carson nga EULEX tha se falsifikimi tash po ndodh edhe përmes sajteve online që merren me shitjen e produkteve, sidomos atyre të kozmetikës pasi për to mungon testimi laboratorik.
“Autenciteti i këtyre produkteve është shumë më i vështirë. Për shembull nëse i blen online, nuk mund t’i shohësh, nuk mund t’i prekësh. Vetëm kur t’i blesh e kupton se janë produkte të falsifikuara”, tha Carson.
Selatin Kaqaniku, nga organizata joqeveritare “Konsumatori” shfaqi kritikë ndaj spitaleve të huaja në Kosovë.
“këto spitale po mbajnë emra pompozë. Kjo po bëhet për propagandim që qytetarët të besojnë në origjinalitetin e aparaturave mjekësore”, tha Kaqaniku.
Shaip Havolli nga sektori për hetimin e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës tha se Policia ka arritur të identifikojë falsifikime të barnave ndërsa ka bërë edhe evidentime të mallrave pa banderolë.
“Këtë vit kemi zhvilluar operacione me Inspektoratin e Doganave dhe me Zyrën e të Drejtës së Autorit, në tërë territorin e Kosovës është konfiskuar një sasi e madhe e librave, CD-ve dhe materialeve të ndryshme që shkelin të drejtën e autorit”, tha Havolli.