Maria Bamieh, ish-prokurorja e EULEX-it pas një viti është rikthyer në Kosovë për ta pastruar emrin e saj. Në një emision special të Klan Kosovës ish-prokurorja britanike tregoi shumë detaje rreth zhvillimeve të cilat aludojnë se ky mision jo gjithmonë morri vendime të drejta kur ndau drejtësi.
Bamieh u suspendua nga ky mision sepse filloi të dyshonte se ky mision po rrëshqiste dhe u aktivizua për të zbuluar të vërtetën, njofton Klan Kosova.
Ajo ka folur për Francesco Florit për të cilin ka thënë se Brukseli nuk e dinte se po hetohej.
“Shefi paraprak kishte vepruar me rregull dhe kishte filluar diçka lidhur me Francesco Florit. Unë e di që Brukseli donte që ta mbyllte hetimin, dhe po vënin pengesa sepse atyre nuk u pëlqente ky hetim. Nuk u mbyll sepse u bë një hetim i rregullt”.
Ajo tha se Brukseli ishte shumë i pakënaqur me atë çfarë po ndodhte dhe bënin ndërhyrje politike.
“Nuk do duhej të kishim kurrfarë lloj përfshirje në çfarëdo hetimi në vazhdimësi, e këto duhet të ishin të pavarura. Brukseli nuk duhet të tregoj se çfarë duhet të hetojmë”, tha ajo.
Ajo duke folur për bastisjen e zyrës së saj ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur është e papranueshme.
“Të marshosh e të hysh në zyrën e dikujt, t’i thyesh kasafortat, pse e tërë kjo, ata thjesht po bënin punën e tyre por kjo ishte sipas meje një taktikë e gestapos”.
“Do të bëhej një stuhi e madhe mediale po të ndodhte kjo diku në Evropë, po të dërgohej policia në zyret e prokurorëve e të trajtohen prokurorët si kriminel pa kurrfarë baze paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Nëse dikush ka bërë shkelje të privatësisë, paraqet shkelje të të drejtave të njeriut”.
Ajo është shprehur se duhet të bëhet hetim për motivet që e kanë shtyrë ta bëjë këtë Gabriele Meucci.
Bamieh ka thënë se ndonëse është akuzuar se është kundër italianëve por kjo nuk është e vërtetë, njofton Klan Kosova.
“Unë e kam luftuar kundër racizmit gjithë jetën time, kam përndjekur njerëz për raste të diskriminimit e racizmit. Jam marrë me raste të shumta që kanë përfshirë shumë persona dhe OJQ për çështje të diskriminimit. Unë nuk kam asgjë kundër italianëve, por kam diçka kundër kriminelëve, a më bën kjo raciste?”.
“Mua nuk më pëlqen Gabrielle Meucci, por nuk kam asgjë kundër italianëve”.
Ajo duke folur për njërin nga rastet me të cilin është marrë që njihet si “rasti Sekiraqa” ka thënë se nuk e di nëse ishte ndonjë italian i përfshirë.
“Ishte dikush tjetër që kishte të dhëna e thuhet që ishte një person italian tjetër. Nuk mund të merrem me konspiracione shumë por me dëshmi, e unë nuk kam probleme me kombësinë e askujt por mua më intereson integriteti i profesionistëve”, tha ajo.