Ministri i pushtetit lokal në qeverinë e Isa Mustafës, Ljubomir Mariq ka thënë se pret që statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe (ZSO në serbisht) të jetë gati për dy-tri javë.
Ai, pas një takimi që pati në Beograd, si i ftuar i shefit të zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, deklaroi se kjo do të ndodh pasi të jetë lëshuar dekreti nga ekzekutivi në Prishtinë, në pajtim me marrëveshjen e 25 gushtit në Bruksel, raporton Most, transmeton Klan Kosova.
Mariq ka kërcënuar se ky dekret duhet të jetë i atillë që t’u përlqejë serbëve të Kosovës.
“Nuk di pse statuti nuk do të ishte gati për dy-tri javë”, ka thënë ai. “Nëse ZSO themelohet pa një komunikim direkt me serbët, por edhe me qeverinë e Serbisë, atëherë atë dokument mund ta dërgojnë në shtëpi, neve nuk na duhet”.
Mariq tha se plani ishte që statuti i asociacionit të kryhet sivjet, por kjo, sipas tij, nuk u bë “për shkak të shumë obstruksioneve”.