Marko Gjuriq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka reaguar lidhur me një lajm të publikuar dje në disa portale në Kosovë, sipas të cilit, gjyshi i tij kishte punuar si roje pylli pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vendin e quajtur Kurillovë dhe e kishte vrarë me armë zjarri një shqiptar nga Drenica, i cili kishte dalë për të marrë dru në mal.
Në reagimin e tij Gjuriq thotë se ai vjen nga familje multikulturore dhe asnjë nga paraardhësit e tij nuk e ka prejardhjen nga Kosova, e as që ka jetuar në Kosovë.
“Konstruksioni i pemës sime familjare të pretenduar në media nuk do të ishte arsye që t’ju adresohem në këtë mënyrë, por fjala është për një konstruksion të pahijshëm qënë fakt është një lloj sulmi mbi personalitetin tim duke tentuar të më diskreditojë në mënyrë indirkete dhe të më përfaqësojë si armik të popullit shqiptar. Kjo nuk është e vërtetë”, thuhet mes tjerash në reagimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Jam serb ortodoks dhe luftoj për mirëqenien dhe interesin e popullit serb në Kosovë”.
“Por, nuk jam armik i popullit shqiptar dhe nuk veproj kundër interesit të shqiptarëve”.
“Përkundrazi, unë e nderoj dhe e respektoj sinqerisht popullin shqiptar”, theksoi ai.