Marrëveshja e arritur me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit mund edhe të dështoj. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime të afërta me Qeverinë e Kosovës. Sipas këtyre burimeve, ka një zbehje të besueshmërisë ndaj punës së komisionit qeveritar për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të cilin e kryeson Murat Meha.
“Argumentet e paraqitura nga opozita në njërën anë, dhe nga deputeti i LDK-së, njëherësh profesori i gjeografisë, Shpejtim Bulliqi nga ana tjetër, si dhe nga ekspertë si dhe nga banorët e asaj ane, kanë bërë që të mos ngutet me këtë proces”, i ka thënë Gazetës Blic ky burim.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se nëse ka argumente që Kosova do të humb territor, atëherë kjo marrëveshje edhe mund të anulohet.
“Kjo marrëveshje është ende në fazë të hershme, nëse ka argumente se po humbet territori ynë, atëherë edhe mund të mos kaloj”, ka thënë ai për Gazetën Blic.
Ai ka bërë të ditur se është i pari prej politikanëve që është takuar me banorët e asaj ane kufitare, ku ka kërkuar që nëse argumente se Kosovës po i merret territor nga demarkacioni t’i ofrohen.
Për dallim nga Grabovci, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi ka theksuar dje për Gazetën Blic se Kosova nuk do ta humb asnjë metër nga marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
Në anën tjetër, partitë opozitare tash e sa kohë e kanë bllokuar edhe Kuvendin e Kosovës, ku po kërkojnë që kjo marrëveshje të mos kaloj, ngase sipas tyre, vendi rrezikon t’i humb 9 mijë hektarë territor.
AAK e Ramush Haradinajt është ajo e cila ishte më e zëshmë kundër kësaj marrëveshjeje. Madje, Haradinaj në një nga mbledhjet e Komisionit Parlamentar ku raportonte kryetari i Komisionit Qeveritar për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Merat Meha, kishte shpërthyer me akuza, duke ia gjuajtur edhe hartën fytyrës këtij të fundit.
Mirëpo, përpos opozitës, edhe deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili në të njëjtën kohë është edhe profesor i gjeografisë ka alarmuar se nga demarkacioni Kosova do t’i humb rreth 9 mijë hektarë tokë. / Gazeta Blic