Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, i shoqëruar nga dy zyrtarë të lartë të stafit të tij, po qëndron në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qëllimi i kësaj vizite është realizimi i disa takimeve zyrtare me përfaqësues të institucioneve policore, për ngritjen e bashkëpunimit policor në fusha të ndryshme.
Ai u takua me komisionerin e Policisë së New York-ut, William Bratton dhe zëvendëskomisionerin për Inteligjencë dhe Kundërterrorizëm, John Miller.
Maxhuni njoftoi komisionerin Bratton se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është profesionale dhe e përgatitur të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë policorë, përfshirë INTERPOL-in, EUROPOL-in etj.
“Bashkëpunimi i ndërsjellë dhe përkrahja nga Policia e New York-ut në këtë drejtim është e nevojshme, sepse do të ndikojë pozitivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe të gjitha llojeve të krimit, si në vend, rajon dhe më gjerë dhe se kjo mbetet ndër objektivat kyçe të PK-së”, tha Maxhuni.
Ndërkaq, komisioneri i New York-ut, Bratton shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejmë në fushën e luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.
Gjatë takimit, të dy krerët e policive u zotuan për vazhdimin dhe ngritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy policive si dhe avancimin e përbashkët në fushën e zbatimit të ligjit.
Gjithashtu, drejtori i Përgjithshëm i PK-së dhe stafi i tij javën e kaluar ishin pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare të shefave të policisë (IACP) e cila u mbajt në Chicago të SHBA-së.