Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës në një konferencë për media mbajtur sot në sheshin “Nëna Terezë” kanë treguar se deri më sot 101 mijë e 672 qytetarë të Kosovës e kanë nënshkruar peticionin kundër themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.
Nol Nushi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se peticioni është zëri i qytetarëve të cilët nuk kanë ngjyrime politike dhe duke parë këto nënshkrime kryeministri Isa Mustafa duhet të tërheq nënshkrimin nga marrëveshjet që ka nënshkruar në Bruksel, ndërkaq nëse se bën një gjë të tillë, ai sipas Nushit duhet të japë dorëheqje
Edhe përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës kanë thënë se peticioni është zëri i qytetarëve të cilëve po u nëpërkëmbet e drejta e tyre.
I pyetur nëse opozita do ta bllokojë seancën kur do të procedohet ligji për Forcat e Armatosura të Kosovës, Nushi i VV-së ka deklaruar se fillimisht do t’i shikojnë pikat e rendit të ditës ku pastaj do të vendoset se si do të veprojnë.
Opozita po ashtu ka bërë të ditur se peticioni do të vazhdojë derisa të ketë vullnet të qytetarëve ta bëjnë atë.