Lajmet e fundit

Mbi durimin tonë të padurueshëm ndaj Serbisë

Lumir Abdixhiku

E pasja e shtetit bën brengën time më të madhe sa herë që neofashistë e shpifës zyrtarë serbë parakalojnë këndej. Vijnë, provokojnë, ofendojnë dhe kthehen sërish pa asnjë konsekuencë, as edhe një veprim. Thuajse këtu nuk ka shtet. Thuajse ky shtet nuk ka ndjeshmëri. Thuajse kjo tolerancë jona është borxh ndaj tyre. Më nuk e di e nuk mund të dalloj se kush është viktimë e kush kriminel.

-1-

Vladimir Lazareviq ishte dënuar me 10 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për krime lufte të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. Javën që shkoi, pas përfundimit të dënimit, Lazareviq ishte kthyer në Serbi – si hero kombëtar. Kriminelin e dënuar e kishin pritur me ceremoni zyrtare ministri i Drejtësisë, Aleksandar Vulin, që qëllon të jetë një neofashist e shëtitës i zakonshëm i rrugëve të Kosovës, urrejtjenxitës pa takt. Ky ministër, i një shteti kandidat evropian – në i thoshin ashtu – shoqërohej nga kryegjenerali i ushtrisë së një shteti kandidat, që qëllon të jetë sërish i akuzuar me një dosje 400-faqesh për krimet në Kosovë – dhe i dekoruar së fundmi me Medaljen e Urdhrit të Lartë presidencial në Serbi. Shoqërimi i të dyve sigurohej edhe nga ministri i Mbrojtjes, prefekti i Komunës së Nishit dhe nga përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe – një kombinim i zakonshëm historik, gjithsesi fatal, i qindra e mijëra jetëve në Ballkan.

Kështu, Serbia, një vend kandidat i BE-së, bëri të pabërën – jo për herë të parë tanimë. Ajo, si asnjë vend tjetër këndej, nëpërmjet heroizmit zyrtar të krimineleve të luftës, u solidarizua e u bashkua me vrasësit. U bë një. Nuk u pendua, nuk u distancua, u bashkua. I trajtoi heronj kombëtarë. Cili vend evropian, cili shtet normal sillet kështu? Dhe nuk po flas për solidarizim individual, po flas për solidarizim e pritje shtetërore – për trajtim zyrtar, pra.

Reagimi? As edhe një. Bashkimi Evropian, që rëndom tregon ndjeshmëri të tepruar edhe ndaj vjedhjeje të ndonjë biçiklete në një fshat serb diku në Kosovë, nuk dha as edhe një mendim, as edhe një shënim, as edhe një deklaratë për një akt që ndodhte zyrtarisht në një vend kandidat të saj. Tregoi sërish disbalancën e gërditshme që në vazhdimësi po mban kur bëhet fjalë për relacionet Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës vazhdoi me të njëjtin avaz – me mosbërjen e gjë prej gjëje. Tregoi e ritregoi se ajo tashmë ka humbur ndjenjën e reagueshmërisë e sensit për gjithçka që ndodh këndej, është e paenergji. Nuk ka as më të voglën ide si të sillet rrjedha që prekin sovranitetin e integritetin e popullit të vet. Nuk dërgoi as edhe një notë proteste, nuk alarmoi asnjë mekanizëm evropian, nuk reagoi as vetë, e kaloi një skandal që prekte pra viktimat e saj – një pjesë ende të pagjetur e të zhdukur madje – si hiçgjë.

-2-

Dhe si hiçgjë u trajtua edhe vizita e përfaqësuesit të të njëjtit shtet në Gorazhdec – Marko Gjuriq. Drejtori i Zyrës për Kosovën e trajtoi një sulm, për të cilin asnjë konfirmim zyrtar nuk kishte dalë ende, si sulm terrorist. Për këtë akt terrorist, ai, i mbante përgjegjës politikanët kosovarë.

Në secilin vend e shtet tjetër, minimalisht normal, minimalisht me integritet nacional, me pak mburrje e shumë guxim, një zyrtar i tillë nuk do të shkelte më në Kosovë. Një trajtim madje i tillë as që do të ndodhte në rend të parë. Sepse, në rend të parë, në vendin e ngjarjes do të duhej të ishin prokurorë, policë e politikanë tjerë kosovarë, do të duhej të ishin njerëz që i trajtojnë fillimisht qytetarët serbë si të tyre, e më pas një rast kaq të paqartë me plot seriozitet.

Sepse, të mbesim të sigurt, se një rast si ky do të përmendet për vite të tëra në secilën mbledhje të Këshillit të Sigurimit, e në secilin fjalim të neofashistëve zyrtarë serbë. Do të përmendet siç vazhdon të përmendet një mbishkrim në muret e një manastiri serb, ani pse nuk ka asnjë provë se të njëjtin mbishkrim e ka bërë ndonjë shqiptar. Nëse asgjë, gjëja më e lehtë është të shkruash në murin tënd.

Do të përmendet pra secili rast i paqartë, me mundësi të zakonshme edhe inskenimi, përderisa të tanët nuk do të përmendin asnjëherë, nuk do ta bëjnë të madhe asnjëherë një pritje zyrtare të një krimineli, një dekorim tjetër të një tjetri, e një shëtitje të lirë e përplot urrejtje të të tretit. Po dhe në mos qoftë e inskenuar, po në u bëftë nga shqiptarët trushpëlarë e nacionalistë pa takt, t’i gjejmë e dënojmë ata. Kështu së paku tregojmë se këndej ka shtet.

-3-

E pasja e shtetit bën brengën time më të madhe sa herë që neofashistë e shpifës zyrtarë serbë parakalojnë këndej. Vijnë, provokojnë, ofendojnë dhe kthehen sërish pa asnjë konsekuencë, as edhe një veprim. Thuajse këtu nuk ka shtet. Thuajse ky shtet nuk ka ndjeshmëri. Thuajse kjo tolerancë jona është borxh ndaj tyre. Më nuk e di e nuk mund të dalloj se kush është viktimë e kush kriminel.

Dhe nuk po flas më për bllokadat e kërcënimet e zakonshme të katër pesë vetave në veri që bllokojnë një pikë kufitare sa herë që duan – ankohen për pagesë të doganës – shih ti zotërinjtë. Nuk po flas as për ura dheu, që u thonë parqe paqeje. S’po flas pra për gjëra që sot, pas 16 viteve status-quo, duken vështirë të arrira. Po flas për një sovranitet e integritet shtetëror gjithandej në Kosovë. Po flas për një shtet që duhet të tregojë se është gjallë, ka gjak e energji, dhe në fund është i zot i vetes para një vrasësi të djeshëm e të papenduar. Dhe nuk duhet shumë mend, punë e angazhim, për të treguar forcën e Republikës, atë që të zbardhë fytyrën, sepse është. Duhet vetëm vullnet. Duhet pra dëshirë për të shfaqur këtë Republikë e për të mos ecur, në shtëpinë tënde, me kokë të ulur kurrë.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, relacionet e Kosovës me Serbinë nuk duhet të vazhdojnë asnjëherë siç kanë ecur deri më tani. Jo se dy-tri ngjarje të fundit bëjnë ndonjë përndritje të argumentimit, porse ato tashmë nuk po nxisin asnjë reagim. As politik, as qytetar e tragjikisht as edhe shoqëror. Thuajse nuk ndodhin fare, thuajse janë të zakonshme e të pritshme. Pse të jenë?

Ky vend është i topitur ndaj secilit relacion me Serbinë, e merr si të qenë nënshtrimin. Një dëm si ky duhet të ndërpritet, para se ai të ndërpresë Republikën tonë – çka do që ka mbetur nga ajo. Tek pasi të ndërpresim ecjen e tanishme, tek atëherë mund të konsolidojmë veten, të dërgojmë një zë tjetër jashtë – të vetërespektit dhe domosdoshmërisë për respekt nga ta – dhe tek atëherë mund të vazhdojmë tutje. Tamam si shtet pra.

[email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published.