“Në këtë takim, të cilin e udhëhoqi kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i vendit, akademik Isa Mustafa, u diskutua lidhur me situatën aktuale politike në vend, të rrezikuar nga aktet e dhunshme të partive opozitare, sidomos të VV-së, që rrezikojnë shtetin e Kosovës dhe perspektivën euroatlantike të vendit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
LDK thotë se në ditët në vijim do të mbahen takime në terren me anëtarësinë dhe qytetarët, për t’i njoftuar lidhur me punën që po e bën Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, për të hapur perspektivë zhvillimore dhe integruese të Kosovës si dhe për rrezikun që i kanoset vendit nga përdorimi i dhunës si mjet politik.
“LDK-ja përkrahu plotësisht kursin e qeverisjes së vendit, përcaktimin për zhvillimin dhe thellimin e partneritetit me SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian. Stabiliteti i koalicionit qeverisës u tha se do të respektohet në mënyrë të plotë, si dhe të gjitha obligimet reciproke që rrjedhin nga marrëveshja e koalicionit”, thuhet në njoftim.
Në takim, po ashtu, u theksua se zgjidhje për vendin mbetet dialogu i cili duhet të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës ndërmjet pozitës dhe opozitës, kurse legjitimiteti dhe legaliteti i institucioneve të dala nga vota e lirë është i padiskutueshëm dhe i pakontestueshëm në mandatin e plotë që ka kjo Qeveri dhe ky koalicion qeverisës, përfundon komunikata.
Në tri mbrëmjet e kaluara, Partia Demokratike e Kosovës është mbledhur, ndërsa është thënë se kjo ka ndodhur për të diskutuar situatën politike aktuale në vend. Në bazë të marrëveshjes së koalicionit me LDK-në, Hashim Thaçi i PDK-së do të duhej bërë president i vendit. Por disa deputetë të LDK-së së Isa Mustafës kanë kundërshtuar zgjedhjen e Thaçit në krye të shtetit.