Liderët e tri partive opozitare, Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën do të takohen sërish sot. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda opozitës.
Sipas këtyre burimeve, në këtë takim pritet të diskutohet për hapat e mëtutjeshëm të partive opozitare.
“Opozita nuk do të tërhiqet edhe më tutje nga kërkesat e saja. Kërkesat janë shumë të qarta, prandaj edhe në këtë takim do të diskutohet për hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë ky burim për Gazetën Blic.
Kuvendi i Kosovës tash e sa javë është jashtë funksionit, për faktin se deputetët e partive opozitare kanë ngulur këmbë që të mos lejojnë punimet, derisa të tërhiqet nënshkrimi i Isa Mustafës nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.
Derisa opozita po bllokon punën e Kuvendit, kryetari i saj, Kadri Veseli ka thënë se derisa ai të jetë kryetar i institucionit më të lartë qeverisës në vend, askush nuk guxon që t’i prek deputetët brenda sallës.
Por, ndaj kësaj deklarate të Veselit, ka reaguar deputetja e LDK-së, Alma Lama e cila ka kërkuar dorëheqjen e të parit të Kuvendit, me arsyetimin se ai nuk po e bënë ashtu si duhet punën e tij.