Lajmet e fundit

Më 15 janar, raporti final për përmbushjen e kritereve për vizat

Kryeministri Isa Mustafa, ka mbledhur sot përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, përfaqësuesit i raportuan kryeministrit lidhur me progresin e arritur për përmbushjen e këtyre rekomandimeve dhe u konstatua njëzëri se është shënuar progres maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian.

Në takim u konstatua se ka mbetur ende e pazgjidhur çështja e objektit të Avokatit të Popullit, si rezultat i mos zhvendosjes së Gjykatës Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë, ashtu siç ishte paraparë me vendim të Qeverisë dhe të konfirmuar me letërkëmbimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

“Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri më 15 janar do të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së” bën të ditur zyra për informim e Qeverisë së kosovës.

Të gjithë përfaqësuesit në takim u zotuan për angazhim edhe më të fuqishëm për të përmbushur secilin rekomandim, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës, t’iu mundësohet lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian, transmeton Klan Kosova.

Leave a Reply

Your email address will not be published.