Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka bërë të ditur se më 17 nëntor do të rivotohet në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut, në të cilat më 3 nëntor ka pasur incidente, të shkaktuara nga grupe huliganesh, të cilët e kanë dëmtuar materialin zgjedhor.
Ajo ka treguar se KQZ-ja ka anuluar votimin e 3 nëntorit në këto tri qendra të votimit.
“Nëse do të këtë rund të dytë në Mitrovicën veriore do të mbahet më 1 dhjetor, sikurse në të gjithë Kosovën. Ndërsa vendimi është marrë për rivotim në tri qendra të votimit në Mitrovicën veriore dhe do të mbahet më 17 nëntor”, ka thënë Daka për “Epokën e re/.
Ajo është shprehur optimiste se më 17 nëntor nuk do të përsëriten ngjarjet e 3 nëntorit
“Po besojmë që nuk do të ketë probleme dhe incidente. Mekanizmat e sigurisë duhet që t’i koordinojnë punët më të gjithë partnerët tanë në mënyrë që të parandalohen incidente”, ka thënë Daka.