Federata Evropiane e Hendbollit (EHF), ka ftuar Federatën e Hendbollit të Kosovës (FHK) në një takim zyrtarë. FHK të premten përmes një njoftimi ka konfirmuar ardhjen e ftesës nga EHF.
Sipas FHK-së në këtë takim pritet të diskutohet rreth anëtarsimit më drejta të plota të FHK-së në EHF.
Federata e Hendbollit e Kosovës, presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm Izet Gjinovci, kanë marrë ftesë nga Federata Evropiane e Hendbollit, përkatësisht nga presidenti i EHF-it Jean Brihault dhe sekretari i përgjithshëm Michael Wiederer, për të realizuar një takim dhe për të diskutuar procedurat dhe aktivitetet e mëtutjeshme lidhur me anëtarsimin me të drejta të plota të FHK-së në EHF, është thënë në njoftimin e FHK-së.
Sipas këtij njoftimi, në këtë takim pritet të hartohet dinamika e aktiviteteve të cilat do të duhet të ndërmirrën në relacionin EHF-FHK.
Kjo ftesë për takim, vjen si rrjedhojë e diskutimeve të cilat i inicuan përfaqësuesit e FHK-së në Kongresin e 34-të Federatës Ndërkombëtare në Katar, rreth pranimit të Federatës Kosovare të Hendbollit me të drejta të plota, thuhet në njoftimin e FHK-së.
Takimi është caktuar me 20 nëntor të këtij viti ne selinë e EHF-it në Vjenë.