Eksperti për çështje kushtetuese Arsim Bajrami shpjegon se disa shtete me ligj ndalojnë pjesëmarrjen e qytetarëve të vet në konfliktet e armatosura.
Pjesëmarrja e individëve shqiptarë përkrahë opozitës në luftën e Sirisë, dhe paraqitja e kohë pas kohshme e disa prej tyre përmes rrjeteve sociale ka filluar të ngritë shqetësime në qarqet politike dhe intelektuale të shqiptarëve. Edhe pse nuk ka të dhëna rreth numrit të tyre në këtë luftë, sipas disa medieve ndërkombëtare raportohet të jenë diku rreth 150 persona, vëzhgues të ndryshëm dhe politikan kanë alarmuar për pasojat e mundshme.
Disa mendojnë se kjo çështje duhet shtruar në nivele politike dhe nëse është gjendja alarmante nuk përjashtohet mundësia që edhe me ligj të sanksionohet, edhe pse lirin e lëvizjes askush nuk mund të sanksionojë. Në disa raste është raportuar edhe për të vrarë shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftën në Siri.
Ndonëse liria e lëvizjes është e garantuar eksperti për çështje kushtetuese Arsim Bajrami shpjegon se disa shtete me ligj ndalojnë pjesëmarrjen e qytetarëve të vet në konfliktet e armatosura.
“Ka shumë raste kur konsiderohet një akt tradhtie ndaj vendit. Secili vend përcakton obligimin e shtetasve të vet për të mbrojtur kufijtë e vet dhe ndalon pjesëmarrjen në çfarëdo konflikti të jashtëm. Por janë raste shumë të rralla”, thotë Bajrami.
Sipas medieve të ndryshme raportohet për një numër jo të vogël të shqiptarëve në këtë luftë, përfshirë edhe nga Kosova, ndonëse zyrtarisht nuk ka ndonjë të dhënë të saktë. Bajrami thotë se momentalisht nuk ka ndalesë juridike për këtë çështje, por nëse ka përmasa alarmante atëherë kjo duhet të diskutohet dhe të shihet se a duhet të rregullohet me ligj.
“Nëse është në shkalla alarmuese atëherë qeveria ka obligim që të merret edhe me aspekte ligjore dhe parlamenti”, thotë Bajrami.
Deputetja Alma Lama thotë se për shtetas të Kosovës që kryejnë vepra penale jashtë territorit të Kosovës kjo zgjidhet nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale që ka Kosova me këto vende. “Në territorin e Kosovës është kodi penal, ai që sanksionon të gjitha veprat penale për secilin person që është shtetas i Kosovës por edhe për personat që vijnë dhe kryejnë vepra penale brenda territorit të Kosovës. Në rastin konkret nuk e di nëse mund tu pengohet lëvizja e lirë personave të caktuar dhe mendoj që është çështja që duhet studiuar. Në rast se personat të caktuar shkojnë e kryejnë krime kundër civilëve çfarëdo lloj veprash që janë penale mendoj se ato mbajnë përgjegjësi penale”, tha ajo.
Edhe në Shqipëri ka pasur reagime të ndryshme. Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, shprehet se duhet të ndërhyhet nga organet, të goditet ky trafik skllevërish që i bën shqiptarët “mish për top”.
“Përfshirja e shqiptarëve në forcat ekstreme islamike në Siri i bën një dëm të madh përkatësinë tonë perëndimore”, thotë ai. Shehu në reagimin e tij merr si shkas një takim në Romë të një nga drejtuesit e rezistencës demokratike siriane, një personalitet demokrat, profesor, me ide krejt perëndimore. Ai citohet ti ketë konfirmuar qartësisht dy elemente: Shqiptarët autoktonë në Siri, në pjesën dërmuese të tyre, mbështesin lëvizjen demokratike aty. Ka shqiptarë të tjerë, të vajtur aty mbas fillimit të konfliktit, edhe nga Shqipëria këta, që operojnë aty brenda formacioneve të forcave ekstremiste islamike, duke i krijuar një dëm të madh çështjes së atij populli”, thotë deputeti Shehu.
“Ai më kërkoi të sensibilizohet opinioni publik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, për këtë fenomen shumë të rrezikshëm, jo vetëm për atë vend, por në radhë të pare për vendet tona”, tha ai.
Në aspektin politik Lama konsideron se çdo shqiptarë që shkon për të luftuar në Siri në krah të organizatave terroriste i bënë shërbimin më të keq kombit, shtetit të Kosovës dhe shtetit të Shqipërisë. “Ne akoma si kemi zgjidhur mirë vetë çështjet tona kombëtare dhe nuk kemi nevojë të eksportojmë persona që shkojnë e luftojnë dhe se dinë se çfarë po luftojnë. Çdo luftë që bëhet mbi baza fetare , xhihad është e papranueshme. Sepse është tërësisht manipulativ”, thotë ajo.
“Disa agjenci lajmesh të huaja vazhdojnë të flasin për një pjesëmarrje të disa “qindra shqiptarëve” në luftën në Siri, lidhjen e një pjese nga ata me organizata terroriste e për një rrjetë rekrutimi të tyre në Shqipëri. Jepen dhe detaje, detaje të vrarësh, flitet për trupa të pajetë. Gazeta Express ditë më parë në një publikim të bazuar në burimet brenda inteligjencës thotë se mbi 100 të rinj nga Kosova dyshohet se luftojnë përkrah opozitës, por edhe përkrah grupeve të lidhura me Al-Qaedan në luftën e Sirisë. Si motiv kryesor për luftim në anën e ushtrisë çlirimtare siriane, shqiptarët theksojnë dëshirën që ti ndihmojnë vëllezërve të tyre të një feje kundër regjimit të Bashar al Asad. Kohëve të fundit ka shumë publikime lidhur me pjesëmarrjen e mercenarëve nga vende të ndryshme në luftën në Siri, disa pro regjimit të Asadit disa kundër. Ka mendimet se nuk është e mençuri pjesëmarrja në luftën në Siri duke marrë parasysh polarizimet që janë brenda vetë opozitës dhe nuk dihet se për cilat interesa dhe të kujt. Sipas disa njoftimeve ka pasur konflikt në mes forcave të ndryshme antiqeveritare si në qytetin Alep.
Ka mendime që të bëhet një ligj i cili angazhimin e tillë do ta trajtonte vepër penale, duke qenë që luftëtarët pas kthimit në vend mund të paraqesin rrezik potencial për sigurinë e vendit. Disa thonë se për ndjekjen ligjore të njerëzve ekziston një problem si të definohet aktiviteti i tyre.