Nga Martha Simms, “The Weekly Standard”
Simms shkruan se Brukseli nuk mund të pranojë më pak Europë, për shkak se me Europë, ai nënkupton thjesht zyrat e Bashkimit Europian dhe pushtetin që kanë burokratët dhe këto zyra. Sot BE është në krizë edhe për shkak të faktit se shumë nuk mund të pranojnë të japin pjesë të sovranitetit të tyre tek këto zyra.
BE-ja nuk është dukur kurrë më keq sesa sot. Vetëm javën e kaluar, Danimarka refuzoi përmes një referendumi popullor, thellimin e lidhjeve me BE, partia anti-BE në Francë doli e para në zgjedhjet lokale, ndërsa Suedia, Gjermania, dhe Austria kanë rivendosur regjimin kufitar, duke i dhënë efektivisht fund sistemit Shengen për pjesën më të madhe të Europës. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, reagimi i BE-së nuk ndryshon kurrë: Është gjithmonë për “më shumë Europë”. “Një qasje kombëtare nuk është e mjaftueshme. Ne kemi nevojë për më shumë Europë”, – tha Etien Shnajder, anëtar i Partisë Socialiste të Luksemburgut, në përgjigje të sulmeve terroriste të Parisit. Dy javë më pare në Madrid, Partia Popullore Europiane, fraksioni më i madh në Parlamentin Europian, votoi një rezolutë ku pohonte se “integrimi është filozofia themelore e BE-së”. Këto dhe zëra të tjerë, i bëjnë jehonë Angela Merkelit, e cila ka marrë qëndrimin më të fortë në favor të “më shumë Europe”. Teksa BE-ja po rritet gjithnjë e më pak, dhe është përherë e më pak e pranueshme për popullin e Europës, këmbëngulja e “eurokratëve” për “më shumë Europë”, fillon të tingëllojë e paarsyeshme. Më shumë se çfarë, mund të pyesë dikush. Kur burokratët e BE-së thonë “Europa”, ata zakonisht nënkuptojnë institucionet e Bashkimit Europian. Me fjalë të tjera, ata janë duke folur për zyrat e tyre. Thirrja e tyre për “më shumë Europë”, është një thirrje për më shumë pushtet ndaj vetë burokratëve: më shumë pushtet të centralizuar në duart e burokracisë së BE, dhe më pak në duart e shteteve sovrane. Por kush në fakt mund t’i fajësojë ata pse kanë këtë reagim? Koncepti i “më shumë Europë”, është sanksionuar në kushtetutën që e udhëheq punën e tyre. Traktati mbi Bashkimin Europian, i nënshkruar në vitin 1992, përshkruan “procesin e krijimit të një bashkimi, gjithnjë e më të ngushtë”. Thirrja për më shumë pushtet politik në duart e Brukselit, është e rrënjosur në vetë strukturën e BE-së. Pikërisht këtu qëndron problemi:BE-ja u themelua mbi konceptin e paqartë dhe jopopullor të centralizimit dhe të ndarjes (lexo kufizimit) të sovranitetit kombëtar. Në thelbin e BE-së, është ideja se rritja e centralizimit nxit unitetin dhe minimizon dallimet kombëtare. Pabarazitë e kulturës, gjuhës, dhe qeverive ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, mund të tejkalohen nëse vetëm një burokraci e largët dhe e paanshme, e rregullon jetën në të gjithë kontinentin. Me kalimin e kohës, vijon ideja, europianët do të bëhen gjithnjë e më shumë të ngjashëm, Brukseli do të qeverisë kontinentin, dhe ato qeveri të bezdisshme kombëtare, do të shndërrohen në relikte të një epoke të shkuar. Edhe “Babai Themelues” i BE-së Zhan Mone, zbuloi shpresat e tij për rritjen e sovranitetit të përbashkët. Në vitin 1953, ai e cilësoi krijimin e Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut, si hapi i parë në “krijimin e institucioneve dhe promovimin e progresit material”, drejt qëllimit përfundimtar të një “ideali të përbashkët”. “Ne s’mund të theksojmë kurrë mjaftueshëm, se 6 vendet e Komunitetit, janë pararendësit e një Europe më të gjerë e të bashkuar”- tha ai më vonë. Burokratët e BE-së e ushqejnë me entuziazëm këtë ide. Thënë thjesht, ata ndajnë një besim të përbashkët se shtetet-kombe të Europës, kanë një tendencë drejt luftës dhe shkatërrimit, dhe se BE-ja është antidoti i duhur për to. Ata shpesh ia detyrojnë BE-së parandalimin e luftërave në Europë – për shembull Angela Merkel iu referua këtij argumenti në një fjalim në Parlamentin Britanik vitin e kaluar. Ky pretendim nënkupton, se nëse BE-ja nuk do të ekzistonte në formën që është sot, lufta me shumë gjasa do të kishte shpërthyer; një supozim i bazuar tek e fundit mbi asnjë dëshmi, dhe pa lidhje me shumë faktorë që e kanë më pak të mundshme shpërthimin e një lufte të re që prej Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë zhvillimin e armëve bërthamore dhe pozicionin e fuqishëm që Shtetet e Bashkuara luajnë, si garantues ndërkombëtar i sigurisë. Në vitin 2010, “Charlemagne”, një kolonë periodike e “The Economist” mbi çështjet europiane, vinte theksin tek besimi ndaj të gjitha gjërave mbikombëtare dhe jo lakmisë për pushtet, si nxitësi kryesor i linjës për “më shumë Europë”. Burokratët e BE-së, pretendohej në shkrim, janë një racë e ndryshme nga francezët, gjermanët apo anglezët. Ata e përkufizojnë veten si mbikombëtarë, që flasin shumë gjuhë dhe ndoshta janë martuar me një të huaj. Ata i edukojnë fëmijët e tyre në shkolla speciale europiane, të projektuara për familjet e nëpunësve civilë të BE-së. Ata nuk e fsheh mospëlqimin e tyre ndaj identitetit kombëtar.