Lajmet e fundit
Mendime mbi një datë historike

Mendime mbi një datë historike

Shkruan: Saimir Lolja

Shkuan mbi 22 vjet dhe vazhdon një ndarje midis njerëzve, e sidomos e arëzave politike, nëse dita e festës së Çlirimit duhet të jetë 28 apo 29 nëntori. Fillimisht “Dita e Çlirimit” u festua në Tiranë më 28 nëntor të 1944 e 1945; më pas ajo u caktua për datën 29 nëntor.

Përçarja shtrihet që nga dy shqiptarë të kudondodhur në botë që diskutojnë për këtë “datë” e deri tek majat politike të shtetit zyrtar shqiptar. Vetëm fakti se kjo festë qeveritare (jo kombëtare, jo e përbashkët, jo e të gjithëve) sjell vetëm përçarje e grindje dhe aspak bashkim e respekt njerëzor, nënkupton se ajo “datë” nuk duhet të festohet.

Fjalë për fjalë, Nacional-Çlirimtare domethënë se një komb, me këtë rast i yni, lirohet rrënjësisht (çlirohet) nga pushtuesit. Që këtu ky emërtim ngec, sepse kombi shqiptar nuk mbaron tek Ura e Shirokës në Veri, apo në Kakavijë në Jug. Dhe të pranosh një ditë të tillë, do të thotë të pranosh Shqipërinë e copëtuar më 1913.

Edhe në kohën e tanishme, regjisura dhe rolet e teatrit politik shqiptar s’kanë ndryshuar përveç artistëve të rinj që i luajnë këto role. Njëra palë nga këta artistë thotë se ushtria gjermane kaloi Urën e Shirokës më 29 nëntor 1944 në orën 00:15 të natës/mëngjes; pala tjetër e artistëve thotë se ushtria gjermane kaloi Urën e Shirokës në Shkodër më 28 nëntor 1944 në orën 23:45 – natën!

Dokumente të ardhura nga Gjermania në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë zyrtare, tregojnë se forcat ushtarake gjermane të Luftës së II-të Botërore ishin në Shqipëri edhe më tej se 29 nëntori 1944 dhe kur u larguan (pa luftë) në dhjetor 1944 ikën sipas planit të tyre të tërheqjes nga vendet e Evropës Juglindore.

Ç’do të thotë pushtues? Përgjigjen e jep vetë historia shqiptare që nga fundi i nëntorit 1944: zbatimin mizor të “luftës së klasave”, përndjekjet masive të njerëzve, humbjen e të drejtave të tyre, internimet, burgosjet e pushkatimet, sidomos të ajkës së kombit, të shkollarëve, atdhetarëve e klerikëve të besimit të lirë fetar; grabitja e pasurive të tundshme dhe të patundshme: fabrika, dyqane, mjete prodhimi, sipërfaqe toke, mallra, sende me vlerë, vepra arti, monedha ari e bizhuteri, të tëra sipas një plani të paramenduar me etapa për zhdukjen e pronësisë private bile edhe në mendjet e njerëzve; dërgimi jashtë Shqipërisë i pasurive kombëtare; prishja e raporteve shoqërore dhe traditave qytetare; rrethimi me tela me gjemba i Shqipërisë (në bashkëpunim me të huajt); humbjen e plotë të lirisë së fjalës, shtypit, përfaqësimit politik dhe mendimit.

Nëse Shqipërisë do t’i kishte ardhur liria menjëherë pas nëntorit 1944, atëherë: (1) luftimet dhe armiqësitë e lindura nga Lufta e II-të Botërore në Shqipëri duhej të kishin mbaruar dhe amnistia e përgjithshme duhej të ishte shpallur ndonjëherë; (2) do të kishte parti politike që do përfaqësoheshin nëpërmjet zgjedhjeve të lira në Kuvend dhe shtypi do të përcillte fjalën dhe mendimin e lirë; (3) njerëzia do ishte kthyer në shtëpitë e veta.

Lufta e II-të Botërore në Evropë filloi më 7 Prill 1939 kur Italia fashiste, me pëlqimin nga qeveria britanike, sulmoi Shqipërinë. Si rrjedhim, Shqipëria u bë pjesë e teatrit luftarak botëror, donin apo nuk donin njerëzit e saj. Nëse hidhet vështrimi mbi shtetet e tjera që u përfshinë në Luftën e II-të Botërore, mësohet menjëherë se nuk ka shtet që të festojë ndonjë ditë “të çlirimit”. Bie fjala, Bashkimi Sovjetik humbi mbi 26 milionë njerëz në Luftën e II-të Botërore dhe do t’i takonte atij në radhë të parë të festonte një festë të tillë; por ai nuk ka patur ndonjëherë festë të tillë!

Ajo që ekziston dhe përkujtohet nga të gjithë në Evropë është 8 Maji (9 Maji, me orën e Moskës), si dita e mbarimit të Luftës së II-të Botërore dhe fitores kundër fashizmit. Shumë e thjeshtë dhe shumë thjesht, sepse më 8 Maj 1944 kryekomandanti i ushtrisë gjermane nënshkroi për palën gjermane kapitullimin e ushtrisë gjermane. Për sa i përket Shqipërisë, një dokument i ngjashëm kapitullimi nuk ekziston dhe as kishte kushte të krijohej. Meqenëse Shqipëria zyrtare ishte pjesë e aleancës antifashiste gjatë Luftës së II-të Botërore, po me ata aleatë dhe me të njëjtën mënyrë, duhej të festonte fundin e luftës botërore.

Heqja e “ditës së Çlirimit” nuk do të thotë se mohohen luftimet apo shkatërrimet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së II-të Botërore. Heqja e “ditës së Çlirimit” nuk do të thotë që të mos respektohen të gjithë luftëtarët që humbën jetën apo u plagosën në betejat ku shqiptarët morën pjesë, përfshirë edhe qindra partizanët shqiptarë që humbën jetën, si edhe të plagosurit, në luftimet matanë Hanit të Hotit e deri në Vishegrad të Bosnjës. Heqja e “ditës së Çlirimit” nuk kërkon të harrohen të gjithë ato luftëtarë ose qytetarë që u masakruan qëllimisht nga palët ndërluftuese të Luftës së II-të Botërore.

Si kudo, për një respekt madhor e të qytetëruar ndaj të rënëve në luftëra nevojitet dhe ekziston një ditë përkujtimore e quajtur Dita e të Rënëve në Luftë. Për t’u kujtuar është 11 Nëntori, i cili përkujtohet në Evropën Qendrore e Perëndimore, si dhe në Amerikën e Veriut. Për këtë qëllim njerëzit vendosin një lulëkuqe në jakat e rrobave të tyre. Në veçanti, lulëkuqja me ngjyrat e saja kuq e zi i përshtatet shumë mirë shqiptarëve.

11 nëntori përkujton dhe nderon humbjet e jetës së ushtarakëve dhe qytetarëve në kohë luftërash. Kjo ditë e ka origjinën tek çasti i nënshkrimit të mbarimit të Luftës së I-rë Botërore prej ushtrisë gjermane në orën 11 të datës 11 të muajit të 11të (nëntorit) të vitit 1918. Nëse shqiptarët, kudo qofshin në Evropën Juglindore, kërkojnë të jenë pjesë e Evropës së Bashkuar, pjesë e Perëndimit, atëherë nevojitet që më 11 nëntor, të paktën punonjësit e shtetit dhe politikanët të vendosin në jakat e tyre një lulëkuqe.

Pjesëmarrësit dhe të rënët ndër luftëra, ata që e përballuan luftën me forma e pasoja të ndryshme, pavarësisht se në cilën “anë” kanë qenë, pavarësisht se si ngjyrosen nga fituesit e luftës, i kanë pas marrë me vete dallgët e luftës, të cilat nuk përcaktohen nga njeriu i veçantë. Të rënët dhe të plagosurit në luftëra, ushtarakë dhe qytetarë, kanë qenë njerëz me të drejtën natyrore për të jetuar e për të mos u dëmtuar dhe është i domosdoshëm përkujtimi pa dallim.

Lufta e II-të Botërore për Shqipërinë zyrtare mbaroi në fund të nëntorit 1944 dhe për Evropën në fillim të majit 1945. Heqja e “ditës së Çlirimit” dhe vendosja e Ditës Përkujtimore të të Rënëve në Luftëra më 11 nëntor nuk pengon që grupe të caktuara të festojnë apo përkujtojnë ngjarje luftarake të shkuara. Prandaj, nuk mund të jetë festë mbarëkombëtare dhe e përbashkët një festim qeveritar që mbart në vetvete luftën dhe përçarjen midis shqiptarëve.

Bashkimi, mirëqenia, bashkëjetesa, ripërtëritja, bashkëpunimi dhe përparimi kërkojnë mirënjohje e respekt midis njerëzve, brezave e grupeve shoqërore. Që nga viti 1944, një “festë” e tillë nuk ka përcjellë nga brezat më të vjetër një mision të tillë për brezat e rinj. Një “festë” e tillë nuk ka patur ndonjëherë qëllim që të sillte armëpushim midis shqiptarëve dhe as të harmonizonte emocionet e njeriut të veçantë me respektin ndaj të gjithëve. Për më shumë, emërtimet (të mirët apo të këqijtë) rrodhën nga ajo “festë” para 70 vjetëve dhe janë fare pa kuptim në kohën e sotme.

Nuk mund të festohet një ditë që i përket një “feste”, e cila qëkur u montua, vetëm Shqipërisë e kombit shqiptar nuk i ka shërbyer. Qëkur u porosit, ajo “festë” pati (dhe vazhdon të ketë) si qëllim, ruajtjen e Shqipërisë së copëtuar më 1913 dhe mosbashkimin shqiptar. Ajo “festë” i ka shërbyer dhe vazhdon t’iu shërbejë armiqve të Shqipërisë dhe në radhë të parë shteteve fqinje që akoma vazhdojnë kështu t’i mbajë të pushtuara tokat shqiptare.

Nuk mund të festohet një ditë nga e cila rrodhën tradhtitë ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, çarmatimi i shqiptarëve të Kosovës gjatë kthimit nga Vishegradi të dy Divizioneve shqiptare më 1945, lënia kështu e shqiptarëve të Kosovës të tradhtuar dhe të paarmatosur përballë sulmit dhe masakrave të ushtrisë komuniste jugosllave, bashkëpunimi në masakrën e Tivarit, fashitja e çështjes çame.

Nuk mund të festohet një ditë e cila zanafillën e ka në tradhtinë e madhe të PKSH-së duke prishur Marrëveshjen e Mukjes me Ballin Kombëtar (gusht 1943) dhe mosnjohjen e Kuvendit të Bujanit (fillim Janari 1944) nën udhëzimin e drejtpërdrejtë të emisarëve jugosllavë që themeluan e udhëhoqën PKSH-në dhe oficerëve britanikë që krijuan e mbajtën në këmbë ushtrinë partizane shqiptare dhe atë jugosllave.

Ashtu si Kuvendi i Bujanit, që u organizua nga komunistët kosovarë të PKJ-së dhe u firmos nga të gjithë delegatët – 43 shqiptarë dhe gjashtë serbë e malazezë – Marrëveshja e Mukjes bashkonte dy grupimet kryesore Antifashiste shqiptare dhe pranonte se Kosova kishte të drejtën e vetëvendosjes, të shkëputjes nga ish-Jugosllavia dhe bashkimin me Shqipërinë.

Data 29 nëntor u bë festë e Shqipërisë zyrtare që të përkonte në të njëjtën ditë me festën e Republikës së Jugosllavisë, festë e cila e përkujtonte 29 nëntorin e vitit 1943. Në atë datë u mbajt në Jajcë të Bosnjës Mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ) dhe u shpall organizimi i shtetit jugosllav të pas luftës. Vendimet dhe organizimet e AVNOJ-it u kopjuan tërësisht prej PKSH-së në Shqipëri pas disa muajsh në Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944.

Nuk mund të festohet një ditë, e cila qëllimisht, sidomos gjatë viteve 1945-1991, u propagandua më fort se dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë së Vërtetë më 28 Nëntor 1912, saqë historia para 8 nëntorit 1941 (data zyrtare e krijimit të PKSH) u venit fare dhe u quajt e keqe.

Dita e Shpalljes së Pavarësisë iu bashkua si festë zyrtare “ditës së Çlirimit” vetëm në vitin 1962, pas prishjes së lidhjeve me Bashkimin Sovjetik dhe heqjes si festë zyrtare të datës 7 nëntor, ditës së revolucionit bolshevik të vitit 1917 në Rusi. Nuk mund të festohet një ditë që shënon fillimin e diktaturës absolute, mbylljen e Shqipërisë ose lidhjen e saj me Lindjen, e më e keqja me ish-Jugosllavinë; rrënimin e deri në mbylljen e qendrave të besimit të lirë fetar; futjen e njerëzve për të banuar nëpër kapanone me kate; prishjen e qyteteve dhe trashëgimisë qytetare; ngritjen pa të ardhme të ndërtimeve të reja; fillimin e gënjeshtrës me lugën e florinjtë më 1945, pasuar me pesëvjeçarët e punës që ishin një hap drejt (fantazmës së) parajsës së barazisë; dhe që vazhdoi me çekun e bardhë më 1991 kur në pushtet erdhën të rinjtë.

Nuk mund të festohet një ditë, e cila shënon fillimin e plotësimit të dëshirës së akademikut serb Çubrilloviç të shprehur në Memorandumin tij famëkeq “Përzënia e Shqiptarëve” të botuar më 1937: “…por më e keqja akoma është të mësuarit e shqiptarëve me idetë evropiane perëndimore të pronës private…”. Shqiptarëve të Çamërisë dhe të Shqipërisë zyrtare iu zbatua e njëjta gjë, kurse atyre në ish-Jugosllavi nuk iu krye plotësisht.

Nuk mund të quhet festë një ditë që shënon fillimin e shkatërrimit sistematik të trashëgimisë krijuese, shkollore dhe profesionale shqiptare dhe njëkohësisht thellimin e turmëzimit mendor të njerëzve, pasojat e së cilës vazhdojnë ta dëmtojnë shoqërinë shqiptare edhe pse kanë kaluar mbi 20 vite nga “kthesa”. Dhe, nuk mund të festohet një ditë, e cila ligjërisht është e paligjshme, sepse në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 14, pika 5, shkruhet se “Festa e kombëtarë e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.