Pas vitit 1945, ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë u zhyt në maninë e statujave, duke ia kushtuar shumë prej tyre betejave të fituara kundër fashizmit nga forcat e partizanëve të kombeve të ndryshme. Nën moton e “vëllazërim-bashkimit”, këto memoriale tentonin të ngritnin një shoqëri multi-kulturore në mes të popujve të cilët jetonin brenda kufinjve të Jugosllavisë.
Sot, këto memoriale qëndrojnë të harruara në zemër të kryeqendrave të shteteve të ish-Jugosllavisë. Memorialet e vjetra të Luftës së Dytë Botërore të ndërtuara nga përfundimi i luftës në vitin 1945 deri në vitet e ‘80-ta, sot janë mjaft të shkatërruara dhe pothuajse të fshira nga kujtesa.
Në Kosovë disa prej këtyre monumenteve janë: monumenti i xehëtarëve partizan në Mitrovicë, përmendorja e revolucionit në ish sheshin e Vëllazërim Bashkimit, tash të “Adem Jasharit” dhe Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, përmendorja në Landovicë afër Prizrenit ngritur për nder dhe kujtim të herojnëve dhe martirëve më të shquar të luftës anti-fashiste, Boro Vukmirović dhe Ramiz Sadiku.
Në Serbi, mund të përmenden mes tjerash varrezat memoriale në Beograd, monumenti Slobodište në Krushevac, monumenti i partizanëve të varur në qendër të Beogradit. Šumarice në Kragujevac, e shumë tjera.
Dikur pranë këtyrë monumenteve, memorialeve, lapidarëve e varrëzave mbaheshin tubime e fjalime që sjellnin ndërmend sakrificën e martirëve dhe fitoren anti-fashistë, ndërsa sot këto janë të shkatërruara, pa kujdes e respekt institucional e shoqëror.
Një hulumtim në Beograd dhe në Prishtinë rikthen historinë dhe heq pluhurin e harresës së kaluarës sonë dikur të përbashkët.
“Kur flasim për monumentet, zakonisht flasim për shkatërrimin e tyre dhe ngritje të reja. Gjëja më e rëndësishme për monumentet është që të kenë jetë. Të ketë organizime të vazhdueshme përkujtimore. Në socializëm ekzistonte kalendari shtetëror, ku kishim festa të ndryshme, si festa të komuniteteve e qyteteve. ‘S’ka gjë më të padukshme se monumenti’, kishtë thënë një filozof. Dhe kjo po ndodh tek ne, kalojmë pranë tyre dhe s’i vëmë re fare. Monumenti bëhet i dukshëm kur pranë tij ka përkujtime e fjalime. Më e rëndësishmja, monumeti krijon lidhjen në mes të komunitetit të së tashmes dhe atij të kaluar”, thotë Olga Mihajlović Pintar, doktore e filozofisë në histori, njëherësh hulumtuese në Institutin për Histori të Re të Serbisë.
Alban Bakija, drejtor i Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve në kuadër të Ministrisë së Kulturës, RInisë dhe Sportit tregon se disa monumente dedikuar luftës anti-fashiste nacional çlirimtare janë futur në listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të vitit 2015, duke përfshirë Kroin përkujtimor, 1943 (LNÇ) në Zbor të Shtimes, Bunkeri i LNÇ-së në Vrellë të Istogut, Përmendorja e LNC-së në Ramjan të Vitisë dhe ajo në Rakanoc të Ferizajt, shtëpitë e Heronjëve të Popullit Boro Vukmirović dhe Ramiz Sadikut, të dyja në Pejë etj.
Më tutje, Bakija spjegon se Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore bën vlerësimin për të përcaktuar një momunent si monument nën mbrojtje të përhershme shtetërore. Por thekson se të gjitha monumentet në listën e përkohshme sipas ligjit të Trashëgimisë Kulturore së Republikës së Kosovës, gëzojnë të njëjtin status sikurse ato të përhershme.
Në anën tjetër, udhëheqësja e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Gjejlane Hoxha tregon se tek në gusht të këtij viti janë emëruar anëtarët e këtij këshilli, të cilët kanë filluar punën për vlerësimin dhe përcaktimin e shpalljes së pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme të shtetit nga lista e vitit 2015.
“Monumentet e Luftës së Dytë Botërore janë të një rëndësie të veçantë dhe sigurisht paraqesin histori, por ne presim propozimet për shpalljen dhe përcaktimin e tyre si trashëgimi kulturore arkitekturore në mbrojtje të përhershme nga lista e Monumenteve të Mbrojtjes së Përkohshme të pranuar këtë vit nga Ministria”,tregon Hoxha.
Pintar, ndërkaq pohon se këto monumente e parqe memoriale në Serbi janë nën mbrojtjen e shtetit, por janë organizatat joqeveritare vendore ato që organizojnë riparimin e tyre, sepse vazhdimisht ato vandalizohen nga tinejxheret dhe nga grupet e margjinalizuara.
Historia dhe gjendja e tanishme e monumenteve të Luftës së Dytë Botërore
“Qëllimi i tyre ishte përkujtimi i Luftës Nacionalçlirimtare, bërja e homazhit për dëshmorët e luftës antifashiste por edhe synohej portretizimi i një ‘përbashkësie’ ndëretnike midis kombeve të Jugosllavisë. Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe theksimin e tensioneve ndëretnike u shuan edhe konceptet bashkuese ndëretnike që dominonin pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kontekst, për gjeneratat e ardhshme shqiptare koncepti i një lloj paqeje mes serbëve dhe shqiptarëve ishte i pakapshëm. Si pasojë, memorialet që kanë mbetur si dëshmi e një kohe kur serbët dhe shqiptarët jetonin në paqe e humbën kuptimin e tyre”, thotë Mrika Limani, historiane në Institutin e Historisë në Prishtinë.
Pintar tregon se pos partizanëve, symbol i këtyre memorialeve e monumenteve janë edhe viktimat civile dhe ushtarët të vrarë gjatë luftës brutale, në të cilën humbën jetën më shumë se 50 milionë njerëz.
“Pos partizanëve, edhe ushtria e viktimat civile u bënë simbol i monumenteve të Luftës së Dytë Botërore. Mendoj se parqet memoriale i kanë shërbyer qëllimit për të cilin ishin ndërtuar. Bogdan Bogdanović , arkitekti kryesor i këtyre monumenteve ka arritur të përçojë moton më së miri, duke ndërtuar monumente pa simbole komuniste, por me bazë të rivleresimit të komunitetit p.sh kemi monumentin në Mitrovicë dedikuar xehtarëve”.
Pintar nuk mund të mohojë faktin se këto monumente kanë humbur kuptimin sot dhe për gjeneratat e reja ato nuk paraqesin ndonjë mesazh.
“Kjo ndodh për shkak se sistemi i atëhershëm i vlerave nuk ekziston më. Socializmi është shkatërruar bashkë me Jugosllavinë. Sot kemi kombe të ndara me simbole kombëtare të tyre. Motoja e ditëve të sotit në mes të kombeve të ish-Jugosllavisë se ne nuk mund të jetojmë së bashku por vetëm si komshi”.
“Mosvëmendja ndaj këtyre monumenteve në një formë sublime tregon që tendenca është e atillë, por kjo situatë është gjithëherë më se e kuptueshme në rrethanat e zhvillimit të një shtetit tranzicional. Megjithëse politikat shtetërore mund të ndryshojnë, historia mbetet ajo që është dhe faktet nuk mund të fshihen nga faqet e historisë”, vazhdon Limani.
Sipas Pintar, mënyra më e mirë për të rrëfyer këtë histori është kur në Beograd ndërtohet një memorial për viktimat e Sebrenicës, dhe kur në Sarajevë do të ketë një memorial të viktimave të Jasenovcit, kampi më i madh i koncentrimit në Evropë gjatë luftës ku pohon të jenë vrarë mbi 50 mijë serbë, 20 mijë romë, 20 mijë çifutë dhe 12 mijë kroatë e boshnjakë musliman.
“Kur ne diskutojmë krimin dhe jo kombësinë e autorit të krimit. Kur ne në Beograd diskutojmë gjithcka çfarë ka ndodhur në Kosovë, atëherë ne ballafaqohemi dhe e pranojmë të kaluarën tonë të vështirë”, këshillon Pintar.
Limani thekson se historia patjeter duhet rrëfyer tek gjeneratat e reja, mirëpo me kujdesin që konteksti historik të mos përzihet me gjendjen e tanishme politike.
“Historia gjithëherë duhet të rrëfehet duke i qëndruar besnike fakteve historike, andaj është më se imperative që gjeneratat e reja të jenë në dijeni për këtë pjesë të historisë. Gjithsesi, në këto raste duhet pasur parasysh që gjërat të konceptohen brenda kontekstit historik dhe jo duke projektuar gjendjen e tanishme politike në situata dhe rrethana tjera historike”, shton Limani.
Pintar thotë se megjithëse këto monumente e parqe memoriale janë nën mbrojtjen e shtetit serb, janë organizatat joqeveritare vendore ato që organizojnë riparimin e tyre, sepse vazhdimisht ato vandalizohen nga tinejxheret dhe nga grupet e margjinalizuara.
Për filozofin Branimir Stojanović, Lufta e Dytë Botërore dhe revolucioni janë harruar plotësisht nga shteti i tij. Monumentet në këtë kohë nuk janë aspak çështje në Serbi. Sipas tij, shteti është i koncentruar në kapitalizëm, krime dhe privatizime.
“Mund të them se rehabilitimi i Draža Mihajlović-it ka vënë pak dritë mbi Luftën e Dytë Botërore. Tani kemi rehabilitimin e kriminelëve të luftës dhe bashkëpunëtorevë të fashizmit. Në këtë moment, monumentet as nuk janë pikë e diskutimit, janë plotësisht të parëndësishme. Sot kapitalizmi është në krye në Serbi. Së pari duhet të ndalojmë prodhimin e elitës kriminale në vend, që duan të bëhen pjesë e rehabilitimit dhe dëshirojnë të fshehin krimet e privatizimin e vjedhjeve. Rehabilitimi e thotë shumë qartë, harrojeni revulucionin, komunizmin e socializmin. Këtu kemi të bëjmë vetëm me kapitalizëm”, thotë Stojanovic.
Rehabilitimi i çetnikëve
Çështje mjaft problematike në Serbi është rehabilitimi i figurave jo të pastra të Luftës së Dytë Botërore. Sipas Sretan Milošević, ekspert i historisë së ish-Jugosllavisë, arsyeja kryesore e fenomenit të rehabilitimit të personaliteteve është ngritja e zërave kundër komunizmit në vitet e ‘80-ta dhe rikrijimi i identitetit kombëtar.
Në maj 2015 është rehabilituar udhëheqësi i grupit nacionalist të çetnikëve të Luftës së Dytë Botërore, Dragoljub ‘Draža’ Mihailović, i cili fillimisht nisi luftë kundër fashizmit por në fillim të vitit 1941 ata filluan të bashkëpunojnë në aspektin ligjor me italianët e gjermanët.
“Asokohe, komunizmi akuzohej për largimin e simboleve të identitetit kombëtar, gjë që nuk është e vërtetë. Falja apo rehabilitimi i Draža Mihailović nënkupton rehabilitimin e gjithë çetnikëve. Vetëm se çetnikët ishin serbë, ata zunë vend të rëndësishëm në rikrijimin e identitetit kombëtar. Mirëpo, rehabilitimi nuk është aspak i mirë, ai ngrit ndjenjën e nacionalizmit dhe urrejtjes ndaj partizanëve e komunizmit”.
Në vitin 2006, Serbia ka miratuar ligjin që lejon rehabilitimin e të gjithë personave që ishin të akuzuar për krime të luftës në Jugosllavi, duke argumentuar se gjyqi pas Luftës së Dytë Botërore ishte politik dhe ideologjik, dhe bëri gabime të rënda ligjore.
“Kriteri kryesor për rehabilitim është fakti se gjatë procesit të gjykimit ka pas motive politike të përfshira. Natyrisht që çetnikët ishin armik politik të komunizmit. Mbi këtë bazë kushdo që ishte ndjekur politikisht, mund të rehabilitohet”, tregoi Milosević.
Ligji i rehabilitimit është zëvendësuar dhe elaboruar më mirë në vitin 2011, por prapë lejon rehabilitimin e personave të cilët kanë bërë krime lufte.
Marjana Toma, zëvendës drejtore ekzekutive e Qendrës së Ligjit Humanitar në Beograd ka shprehur po ashtu shqetësimin e saj për procesin e rehabilitimit. Ajo tregon se si politikat shtetërore dëshirojnë të fshijnë gjithëçka që ka qenë anti-fashiste dhe se po rehabilitohen fashistët.
Problem tjetër, sipas Tomas është edhe riemërimi i rrugëve sa herë që ndërrohen politikat zyrtare. Ajo rrëfen së ky gjest bëhet për të fshirë fituesit e pastër të Luftës së Dytë Botërore. Dy nga rrugët kryesore të Beogradit “Zoran Djindjić” dhe “Ivo Lola Ribar” mbajnë disa emra.
“Për politikat zyrtare është e qartë që këto emërime të rrugëve, monumente e parqe memoriale paraqesin të kaluarën e Jugosllavisë dhe pikërisht ata nuk e duan këtë. Kur flasim sot për ish-Jugosllavinë, flasim për krimet komuniste, shumë serbë e sulmojnë Jugosllavinë duke thënë se ka qenë shtet peng për serbët. Demokratikët janë ende nacionalistë. Monumentet e asaj kohe janë të harruara, të neglizhura dhe kaq. Nuk kanë si të ndryshojnë përceptimit për to. Por serbët kurrë nuk flasin për krimet e bëra në Kosovë në vitet e ’50-ta apo nuk dijnë gjë për demostratat e vitit ’81. ”, përfundon Toma.
Arkitektura e monumenteve të Luftës së Dytë Botërore
Këto memoriale e monumente përkundër historisë që bartin, jorrallë herë janë konsideruar si objekte të çuditshme nga syri i arkitektëve e fotografëve botërorë, pasi kuptimi përmes formave të tyre është vështirë i identifikueshëm. Sipas historianit arkitektural Aleksandar Ignjatović, këto monumente kanë vlera artistike dhe arkitekturale në të dy kontekstet si atë lokal dhe evropian.
“Shumëllojshmëria e formave vizuale-arkitektonike të monumenteve të Luftës së Dytë Botërore është jashtëzakonisht vështirë të perceptohet apo identifikohet. Ka pasur disa tradita të ndryshme në gjuhën vizuale dhe në kuptimin e monumenteve, që kanë mbuluar periudhën e Jugosllavisë socialiste. Në anën tjetër, askush nuk mund të mohojë se shumica e këtyre monumenteve ‘flasin’, por prapë nuk do t’i përgjithësoja. Kjo është çështje e semiotikës së përpiktë dhe analizës konceptuale të secilit monument që mund të tregojë kuptimin e saj të supozuar dhe rëndësine sociale e politike”, ka thënë Injatović.
Por si përjetohen këto memoriale e monumente sot?
Pa dyshim se perceptimi emocional i njerëzve për këto monumente ka evoluar përgjatë viteve, mirëpo sipas psikologes Etleva Durmishi,përkundër zhvendosjes së vëmendjes nga memorialet dhe përmendoret e ndryshme të kohës së Jugosllavisë, ato ruhen ende fshehur brenda njerëzve. Ndërsa nuk është e njëjta gjë tek gjeneratat e reja sepse në vëmendjen e këtyre të fundit ka gjëra/memoriale/monumente të tjera por që mendimi rreth tyre varet gjithmone nga ajo se si ua kanë transmeruar më të rriturit.
“Jetesa në të kaluarën është karakteristikë që përfshin të gjithë popujt e Ballkanit ngaqë kemi pasur të bëjmë një investim emocional në ritregimin e ndodhive historike, por sa i përket përmendoreve, ekziston një largim i vëmendjes së njerëzve prej tyre meqë kohët dhe sistemet kanë ndryshuar shumë dhe ato përmendore nuk përcjellin asnjë mesazh përmes fuqisë së punimit simbolik tek njerëzit, e as liderët nuk i kanë përdorur me ato si ‘karta’ për të mobilizuar masat e as për të dërguar tek të tjerët ndonjë kuptim ideologjik. Por ama, emocioni i krijuar nga ndërtimi i përmendoreve të kaluara ruhet i mbyllur tek njerëzit, pra në rast se vendoset të shembet ndonjë prej tyre, atëherë mund të hasim lehtësisht në reagime dhe përplasje nderetnike në raport me to”, ka thënë Durmishi.
Durmishi ka theksuar se liderët në Ballkan mbesin ende nxitësit kryesor të masave e sot janë pikërisht liderët që nuk kanë ndonjë interesim për monumentet e kaluara për të përmbushur qëllimet e tyre.
“Janë kohë të tjera, me nevojën për metoda, objekte dhe qëllime që s’lënë shumë vend për rikujtimin e përditshëm të tyre”, përfundon Meta.
Artisti shqiptar Albert Heta, njëherësh drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkohor në Prishtinë, tre vite më parë ka pasur një projekt në kuadër të ekspozitës “Çmimet Muslim Mulliqi”, për përmendoren e revolucionit në qendër të Prishtinës. Projekti i quajtuar “Revelution” (Revealing the Revolution) apo në shqip “zbulimi i revolucionit” kishte për qëllim restaurimin dhe aktivizimin e ndriçimit publik në sheshin e Vllaznim- Bashkimit me Përmendoren e Revolucionit.
“Trashëgimia e betejës se luftës anti-fashiste ka mbetë tepricë dhe askush nuk merret me të. Kjo trashëgimi nuk ka pronar. Shumica e këtyre objekteve nuk mbrohen me ligj, qysh kanë qenë të mbrojtura më parë edhe pse janë në listë për t’u mbrojtur. Andaj për dy arsye ka nisur ky projekt. E para se nëse këto monumente ishin trajtuar si të mbrojtura dhe hapësira e tyre përreth kish’ me qenë e mbrojtur. Dhe e dyta, në Kosovë ka parti politike që flasin për revolucion e nuk e dinë që në qendër të Prishtinës kanë një përmendore të tillë. Çka ka ndiku që kjo përmendore me e humb kuptimin, është se pas luftës është dasht të ndahet gjithcka, të jetë ose e shqiptarëve ose e serbëve. Ndërsa, kjo përmendore simbolizon tri vlerat universale, revolucionin, lirinë dhe barazinë, të cilat janë humbur me nacionalizmin e tepëruar”.
Për Hetën nuk është e rëndësishme vetëm ruajtja e një copë kujtese, por kuptimi i saj. Duke pasur parasysh faktin që kjo përmendore dikur ishte simbol i Prishtinës, ajo duhet të ruhet dhe të barten informata për të edhe në gjeneratat e reja.
“Vendi pa histori nuk ecë përpara. Historia duhet ruajtur për t’u treguar, për të qenë kritikë ndaj saj, por asesi të menjanohet sepse gjithëmonë do të ketë hapësira për manipulim”, ka përfunduar Heta.
Pyetësori
Nga një pyetësor i bërë në Kosovë, me 40 pjesëmarrësë të moshave të ndryshme, 70% e tyre nuk kanë njohuri për këto memoriale dhe për ta këto hapësira janë thjeshtë vendtakime. Ndërsa 30% e tyre, kryesisht të moshës së shtyer, mund të thonë mjaftë për historinë e tyre dhe shprehin fuqishëm dëshirën që gjeneratat e reja të dijnë më shumë për historinë.
I njëjti pyetësor i zhvilluar në Beograd gjatë verës që lamë pas, ka servuar rezultate të ndryshme krahasuar me ato të Kosovës. Nga 40 të intervistuar, të gjithë treguan njohuritë e tyre të gjëra për memorialet. Ata, sipas rezultateve, edhe sot dëgjojnë e flasin shpesh për këto memoriale dhe duket se ato vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në historinë e tyre.
Kjo storje është realizuar në kuadër të projektit Kosovo Serbia: LIVE të cilin e financon Bashkimi Evropian në kuadër të Mbështetjes Shoqërisë Civile 2013. Përmbajtja e kësaj storjeje dhe qëndrimet e paraqitura në të janë përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian./Kosovalive360.com