Holli i Kuvendit të Kosovës është kthyer në Muze. Aty, me iniciativën e kryetarit Kadri Veseli, janë vendosur vitrina, të cilat mbajnë replikat e artefakteve të grabitura nga Serbia në vitin 1999.
Një ditë para votimit për anëtarësim me të drejta të plota për Kosovën në UNESCO, Kuvendi i Kosovës, ka vendosur që të kujtojë faktin se Serbia vazhdon t’i mbajë 1244 eksponate arkeologjike e etnologjike të cilat i mori nga Muzeu i Kosovës, kur u largua në vitin 1999 me ushtri e administratë.
Kadri Veseli ka shprehur besimin se Kosova nga nesër do të jetë anëtare me ta drejta të plota e UNESCO-s. Pas kësaj, ka thënë se Kuvendi do të mbajë një seancë solemne.
“Gjasat janë shumë të mira pasi kemi sinjale që edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën do të votojnë për anëtarësim. Kosova e meriton të jetë pjesë e UNESCO-s”, ka thënë kreu i Kuvendit. “Falënderoj Muzeun e Kosovës për zbukurimin e hollit të Kuvendit me këto eksponate të vlefshme. Shumica e eksponateve janë ende në Beograd dhe presim që të kthehen në Kosovë”, ka shtuar më pas Veseli.
Eksponati parahistorik i Hyjneshës në Fron, i gjetur te Tjerrtorja në Prishtinë, është i vetmi artefakt i cili i është kthyer Kosovës nga Serbia, dhe atë në vitin 2002, me ndërmjetësimin e administratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Stainer. /Koha.net/