Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, pas takimit me liderët e Opozitës ka takuar edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, njofton Klan Kosova.
Meta ka thënë se në Kosovë po qëndron vetëm për vikend, por edhe po takohet me miqtë e tij, të cilat, siç tha ai, janë të shumtë.
Ai ka mohuar të ketë ardhur në Kosovë për të ndërmjetësuar në krizën politike dhe çarjen mes Pozitës e Opozitës, por ka thënë se gjithsesi që po interesohet për problemet aktuale, sepse ndryshe do të ishte papërgjegjësi nga ana e tij.
Meta dje vonë është takuar me homologun e tij Kadri Veseli, kurse sot gjatë ditës me tre liderët opozitarë – Visar Ymerin nga Lëvizjes Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën.
Meta ka thënë se ka parë shumë mundësi për dalje nga kriza dhe gjetjen e një zgjidhje.
Por, kryetari i AAK-së Haradinaj, në një intervistë pas takimit me Meten, ka mohuar se Opozita mund të lëvizë nga qëndrimet e mëparshme.
Dialog me Qeverinë Haradinaj ka thënë se mund të ketë vetëm nëse plotësohen kushtet e tyre – heqja e nënshkrimeve nga Marrëveshje me Serbinë për Asociacionin dhe ajo me Malin e Zi për Demarkacionin