Lajmet e fundit

Mhz – The way out of Prishtina

Ballsor Hoxha

Çdo qytet është në proces të përhershëm të transformimit, por përderisa në qytetet normale, apo nëse lexuesi don: në Londër, transformimi është kalimi prej një gjendje të definuar kulturalisht në tjetrën, në Prishtinë nuk ekziston gjendja paraprake, është e dezintegruar përgjithmonë. Prishtina është në përpjekje konstante për të dëshmuar ekzistencën e saj, për të dëshmuar se ekziston.

Çdo qytet është i definuar nga kufiri me qytetin tjetër, nga ndryshimi prej qytetit tjetër dhe nga komunikimi me qytetin tjetër, por këto varen nga aftësia e qytetit për të shprehur, apo thënë më saktësisht, për të përmbledhur të gjitha këto. Por mbi të gjitha është mundësia, apo vet dalja jashtë tij. Dhe pa mundësi daljeje jashtë tij, që është vet vërtetimi i përvojës në atë qytet duke shkëmbyer me të ndryshmen prej tij, është një iluzion apo në rastin si i Prishtinës një burg kolektiv.

Por ky është dhe “the thrill” i të jetuarit në Prishtinë. Të maruarit e jetës, realitetit dhe të besueshmes për çdo moment të vetëdijshëm në Prishtinë.

“The thrill” që përjetohet këtu është varësi kronike, është diçka që nuk e ofron jeta askund tjetër, është vula e Prishtinës. Gjë që ka mashtruar qindra shqiptarë të suksesshëm të kthehen në Prishtinë.

Bersanti i Sprayit (qysh e njohin në Prishtinë) është një prej këtyre të kthyerve në Prishtinë nga jashtë.  Megjithese nuk ka background profesional në arkitekturë apo inxhinieri, ai eshte arkitekti, inxhinieri dhe muratori i tërë clubbing skenës së Prishtinës.  Kishte filluar me kafiqin, tani legjendë, Megaherz, në Prishtinë, aty ku është incuar e gjithë thurja e clubbing në Kosovë, tërë kultura e kësaj revolte hedoniste ndaj shpërbërjes së realitetit – postomdoernizimit, aty ku ka filluar të ringjallet një Prishtinë e re, ajo e pasluftës dhe lirisë.

Pastaj kishte ndërtuar hapësirën tjetër, ku në mesin e rrënojave të luftës si kulturore si materiale, dhe dhembjes së të kuptuarit që kishim qenë të burgosur kolektivisht derisa bota kishte ikur në pamundësi arritjeje, dhe çorodisë së lirisë, kaosit të pashtetësisë, kishte krijuar Bersanti Radio Club. Këtu kishin ardhur DJ të parë të njohur, këtu ishin provuar në masivitet ekstazitë e para (si rekuizitë e clubbing-ut) këtu kishim gjetur diellin e lirisë duke vallëzuar deri në lindje të tij. Të mërkureve, të premteve, të shtuneve ishte dita e Radio Club-it.

Radio Club në memorien time është njëlloj paralele e shtetësisë, apo për të mos qenë politik, e përkatësisë kosovare, ishte zhvilluar paralel me institucionet e para kosovare. Por derisa sot përballemi me korrupsionin më të uritur të këtyre institucioneve kosovare, Radio Club ishte udhëhequr, ishte ngritur, nga Arkitekti Bersanti dhe ne që prisnim lindjen e diellit, nga dëshira për liri, liri universale, të arritjes së limiteve të lirisë në të vërtetë të të përjetuarit dhe të provuarit të lirisë, si dëshmi që jemi të gjallë.

Ç’është e vërteta Radio Club si klub nate ka ekzistuar edhe në kohën e regjimit të Millosheviqit, por kanë qenë të paktë shqiptarët që kanë provuar atë atmosferë. Dhe të ndërtuarit e një hapësire si Radio Club ka qenë edhe patriotizëm, shenjë ngadhnjimi të të drejtës për të festuar jetën në tokë.

“A keni shpi ju bre a ça o puna juj” na janë drejtuar kushedi sa herë punëtorët e Radio Club, derisa ne përjetonim dhe nuk donim ta ndalnim, ishte e shenjtë për ne, qarkullimin e jetës aty. Të kuptohemi Radio Club ka pasur tepricë elektriciteti të aksidenteve të kaosit që mbretëronte në Prishtinën e pasluftës. Kanë qenë në të njëjtën natë udhëtarë edhe ata që për herë të parë në jetën e tyre dëgjonin muzikë elektronike edhe clubbers prej londrës, literalisht të rritur nën kulturën e Ministry of Sound.

Pastaj kishte ardhur Spray. Spray, klubi i hapur diku në mesin e dekadës së kaluar në periferi të Prishtinës, ka qenë tanimë definimi i kulturës së clubbing të Prishtinës, dhe kush tjetër pos Bersantit, kishte ambientuar frymën e re që arrinte definimin e saj përkundër asaj që ndodhte në botë në këtë shtjellë globale. Kanë performuar aty DJ të përmasave që do të mund të krahasoheshin me star të mdhenjë si Madona e U2 që kurr nuk erdhi në Prishtinë megjithë kërkesat e shumta. Në vitet më të vështira të pasluftës, para pavarësisë, kur të gjitha motivet e të shtypurve kosovar tanimë ishin zhbërë në pamundësinë e jetës së Kosovës, Spray mbante gjallë frymën e përkatësisë globale, të të qenit në rrjedhë të asaj që ndodhte kudo në botën e clubbing. Atëherë kur ishte provuar për herë të parë të qenit i izoluar në liri, që është edhe gjendja aktuale në tërë Kosovën, Spray kishte arritur të zbulonte “the way out” prej Prishtinës.

Të rinjtë përballeshin me demonët e tyre, me izolimin me pamundësinë, me shpërbërjen e realitetit të gjendur në rrjedhën e postmodernitetit, iknin nga dhuna në familje, në shkolla në institucione, iknin nga mosqenia, dhe gjenin ëndrrat e tyre, gjenin një realitet të ri, gjenin një përkufizim të ri për jetën dhe ëndrrat e tyre, përjetonin pak përkatësi, për aq sa zgjaste nata. Ishte masivizuar dhe përkufizuar si ndjenjë prishtinase e përhershme mu në pikën më të lartë të Prishtinës, mu sikur qytetet e lashtësisë, aty ku nuk mund të pushtoheshin nga tani korrupsioni i jetës shoqërore.

Siç e thashë më herët Prishtina është vend ku gjërat lindin për herë të parë për çdo ditë, për çdo ditë duhet të rikrijohet jeta prej fillimit, derisa heroi më i madh i joti është shndërruar brenda natës në hajnin apo vrasësin më të madh etj. Dhe në këtë gjendje Bersanti arrin të krijoj vazhdueshmërinë e jetës, por sipas mënyrës prishtinase, të prishtinëzimit të çdo gjëje, jo për shkak të ndonjë kryelartësie apo ndonjë mburrjeje, por për shkak të ishullsisë kosovare. Kështu Bersanti dhe Spray kishin zbuluar rrugën jashtë Prishtinës, rrugën jashtë.

Pastaj Spray ishte mbyllur, dhe prej atëherë janë përhapur edhe shumë promoter të clubbing partyve në Prishtinë, ka pasur shumë përpjekje për vazhdim të kulturës së clubbing, por a është besimi në promotor apo a është kriza financiare, apo a është shpërndarja e “fuqisë clubbing” të Prishtinës, tanimë ka një krizë në clubbing skenë.

Dritëzat në ballë të Mhz

Megjithatë Bersanti nuk ndalet, tanimë është vendosur Mhz i ri, në anën tjetër të ish kinemasë së qytetit Kino Rinia, aty ku ka qenë Radio Club përpara. Jam gjithmonë i pari në party kur shkoj, është marrje pjesë në tërë shtjellën që do të krijohet, prej momentit kur kamarierët e numërojnë kusurin e tyre dhe DJ provon zërimin, dhe sigurisht nëse kam “takat dhe pare” qysh thotë Shuki i Urban FM,  jam aty deri kur lindin rrezet e para të diellit, është njëlloj ngadhnjimi mbi jetën që e kam, të mbizotëruar të saj, një lindje e re, dhe kur e ndjenë Mhz në fillim të partyt njeriu e ndjenë edhe njëlloj ngadhnjimi të të gjithë ne që kemi luftuar: me vallëzim dhe çorodi hedoniste dhe me përjetim të kufijve të lirisë, ndaj korrupsionit të njeriut në ankthin e realitetit të shpërbërë. Shndritja e dritëzave në ballin e këtij jointi, të sjell në mendje shndritjen e diamantëve si lidhje e pashkëputshme e atyre që kanë luftuar për një liri, liri tjetër nga ajo e përkufizuar nga qëllimet “Mirëdashëse” dhe patriotike të udhëheqësve tanë. Lidhje e  krijuar nga qindra dhe mijëra party, si luftë – në Prishtinë party është edhe luftë – ndaj mosekzistencës së Prishtinës.

Por sot disi është dhembshëm kur në mes të partyt një si unë sheh dancefloor të barktisur nga mysafirët e udhëtimit, qoftë nga pasiguria qoftë nga përballja për herë të parë me diçka magjike si muzika e DJ ITTO-s. Për ne që kemi marrë pjesë në krijimin e jetës në fillimin e pasluftës dancefloor ka qenë territori ku kemi ndërtuar, ku kemi arritur tej dhembjes dhe ku kemi dëshmuar se jemi të gjallë. Ka qenë hapësira magjike që ka mundësuar përjetimin e lirisë. Dhe e kemi ruajtur dhe përkufizuar me manifestimin e trupave tanë si çilimin e Aladinit.

Mhz, qoftë edhe në emër është, njëlloj kthimi, njëlloj përkufizimi i Odiseadës së udhëtimit nëpër katrahurat që ndodhin në Prishtinë nga mungesa e realitetit, nga paqëndrueshmëria e saj si përpjekje kolektive, e izoluar nga bota. Këtu rifillon përkushtimi i ri, i asaj që është krijuar deri sot. Krejt çka duhet është të qëndrosh në dancefloor, muzika si betoni i kësaj arkitekture të dizajnuar nga Bersanti dhe Co. është gjithmonë aeroplani më i mirë i mundshëm.

Krejt në fshehtësi, ato dritëza, zbulojnë herë herë, nën house-in e Dj ITTO-s legjendar tanimë, edhe një mundësi tjetër që ofron përvoja e kësaj arkitekture të Mhz: “the way out” prej Prishtinës. Vetëm duhet ditur një gjë, një gjë shumë të rëndësishme: për ku je nisur?

Leave a Reply

Your email address will not be published.