Emërimet në bordet e ndërmarrjeve publike po vazhdojnë të jenë të ndikuara nga politika, pasi që njerëzit e afërt me ta po vendosen në pozita të larta.
Rasti i fundit ka të bëjë me emërimet në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit në Mitrovicë, ku nga gjashtë persona e emëruar, pesë shihet ashiqare se i përkasin politikës ose janë në lidhje direkte me politikan, raporton Veriu.info.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 24 tetor ka emëruar si anëtar të Bordit, të kësaj ndërmarrje Blerim Gërxhaliun, Zukë Beqirin, Burhan Maxhunin, Mimoza Zeqirin, Tefik Ujkanin dhe Halil Thaçin.
Blerim Gërxhaliu është djali i vëllait të gruas së Hashim Thaçit, babai i të cilit mandatin e kaluar ishte pikërisht anëtar i Bordit të kësaj ndërmarrje. Po ashtu edhe Halil Thaçi mësohet se është kushëri i liderit të PDK-së.
Mimoza Zeqiri është gruaja e Lulzim Zeqirit, këshilltarit të Kadri Veselit, i cili mandatin e kaluar ishte drejtor i Drejtorisë për Inspeksion në Komunën e Mitrovicës.
As partneri tjetër qeveritar LDK-ja nuk e ka lënë keq me emërime në këtë Bord, pasi që Burhan Maxhuni dhe Zukë Beqiri, janë anëtar të Kryesisë në Degën e LDK-së në Mitrovicë.
Anëtari i vetëm i emëruar në këtë Bordi, e që mësohet se nuk i përket asnjë subjekti politik, është Tefik Ujkani.