Nuk ka rënë zilja këtë shtator si në objektet e tjera shkollore. As zë nxënësish e mësimdhënësish nuk është dëgjuar brenda mureve të tij. Kështu ndodh përherë. Prejse i është vënë dryni para 5-6 vjetësh. Prej kësaj kohe “Minatori” qëndron i mbyllur për nxënës.
Të vetmit që ia hapin derën janë disa të rinj që e shfrytëzojnë për të ushtruar fitnes. Ky është objekti i shkollës së mesme teknike “Minatori”, që dikur mësonin fëmijët e fshatit Bardh i Madh të Fushë-Kosovës. Atëherë, kur kishte më shumë gjallëri në fshat. E edhe punë më shumë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Rinor Reçica kalon çdo ditë nëpër oborrin e kësaj shkolle, sa herë që del dhe kthehet në shtëpi. Hyrjen e ka andej. Edhe pse nuk e kishte kryer shkollën e mesme këtu, i kujtohet zhurma e nxënësve që dëgjohej në oborrin e shkollës, ngjitur shtëpisë së tij. Gjyshi i tij, Emin Reçica, ishte ndër mësuesit e parë këtu kur shërbente si shkollë fillore. Por tash gjithçka duket ndryshe.
“Kjo shkollë është mbyllur më herët, diku para 6 vjetëve, dhe unë nuk e kam vijuar mësimin në këtë shkollë, por në Fushë-Kosovë. Unë e kam kryer gjimnazin, drejtimi Shkenca Natyrore në Fushë-Kosovë, si dhe Fakultetin e Ndërtimtarisë. Ky drejtim nuk e di a ka qenë në këtë shkollë. Sigurisht se bën shumë më tepër shpenzime kur e kryen shkollën më larg, siç më është dashur edhe mua që të udhëtoja çdo ditë deri në qytet”, thonë Rinor Reçica. “Ka qenë gjallëri këtu. Edhe dyqanet kanë pasur punë shumë më shumë. Tash u ka rënë puna”.
Para 5-6 vjetësh shkolla e mesme teknike “Minatori” është hapur në qytet. Ata që dikur e kishin shkollën në derë të shtëpisë, tash duhet të udhëtojnë deri në Fushë-Kosovë për çfarëdo drejtimi që mendojnë të studiojnë.