Ministria e Drejtësisë ka vendosur që një pjesë e klinikës së gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të adaptohet për të burgosurit që kanë nevojë për trajtim spitalor.
Sipas sqarimit që ka bërë ministria lidhur më këtë çështje, një marrëveshje e tillë është arritur para dy viteve në mes të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe drejtorit të QKUK-së, ku edhe është caktuar hapësira e cila nuk e pengon punën e asnjërit nga repartet.
Orhan Hajrizi nga Ministria e Drejtësisë konfirmon për KosovaLive se hapësira në fjalë gjendet në pjesën mbrapa gjinekologjisë (përdhes e ulët), e cila ka hyrje të veçantë dhe nuk ka të bëjë me asnjë repart të klinikës gjinekologjike.
Megjithëse këto mund të jenë lokale fizikisht të ndara një vendim i tillë është parë si jo mirë i menduar, madje i papranueshëm nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK), pasi sfilimi i delikuenteve në një ndërtesë ku ka gra shtatzëna, lehona dhe fëmijë mund të jetë e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tyre.
Igballe Rugova nga RrGGK,thotë se kanë kërkuar sqarim nga Ministria e Drejtësisë për këtë vendim dhe se ata u kanë thënë se hapësira në të cilën do të adaptohet ky burg, për të burgosurit që kanë nevojë për trajtim spitalor është jashtë objektit të gjinekologjisë.
“Ne assesi nuk pajtohemi me adaptimin e një burgu brenda gjinekologjisë pa marrë parasysh që ajo pjesë mund të ketë hyrje të veçantë sepse shndërrimi i hapësirave të këtij reparti në burg, nënkupton qëndrimin në hapësira të përbashkëta të grave shtatzëna dhe të burgosurave. Kjo cenon sigurinë e grave lehona dhe fëmijëve, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me të burgosurit e rrezikshmërisë së lartë.
Pastaj prania e të burgosurve që mund të vuajnë nga sëmundje të ndryshme, ndonjëherë edhe ngjitëse, cenon edhe shëndetin e nënave dhe fëmijëve. Përveç kësaj kjo nuk është fare në rregull pasi gratë kanë nevojë që të kenë komplet hapësirën e tyre dhe një gjë e tillë as që do të duhet të merrej si mundësi”,deklaron Rugova duke bërë të ditur për KosovaLive se nuk do të heqin dorë deri në ndryshimin e këtij plani.
Ajo tutje thotë se është e vetëdijshme që e drejta për trajtim spitalor të burgosurve të sëmurë, është e drejtë themelore e njeriut, dhe mos respektimi i saj do të përbënte shkelje të rëndë të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, por që për këtë duhet një qendër spitalore për trajtimin e tyre brenda objekteve të veta pasi jo rrallë Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) është detyruar që të burgosurit t’i dërgojë në spitalet rajonale apo në QKUK.
Rugova duke u mbështetur në analizën e Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNj), ku ndër të tjera në mandatin e saj përfshihen edhe hapësirat ku ofrohen shërbime shëndetësore për personat e privuar nga liria, pohon se është e nevojshme që të bëhet ndërtimi i një spitali për të gjitha burgjet e Kosovës, brenda hapësirës së institucioneve që janë nën përgjegjësi të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Edhe sociologu, Genc Xërxa nuk e sheh si vendim të qëlluar dhe të menduar mirë adaptimin e një miniburgu në kuadër të hapësirave të spitalit gjinekologjik për trajtimin mjekësor të burgosurve.
Ky veprim nuk është i menduar mirë dhe asi i qëlluar pasi frekuentimi i të dënuarve rreth atyre hapësirave të ndjeshme, në të cilat nënat lehona apo ende në pritje për lindje shqetësohen apo stresohen nga defilimet e policisë dhe personave delikuent afër tyre”, pohon Xërxa për KosovaLive duke theksuar faktin se primare është shëndeti i gruas dhe fëmijës njëkohësisht.
Sipas Xërxes duhet të gjendet një lokacion më diskret e më pak i vërejtshëm, por edhe që ka qasje të shpejtë në të gjitha shërbimet mjekësore që QKUK mund të ju ofrojë të gjithë të burgosurve në nevojë, duke ruajtur edhe shëndetin e tyre njëkohësisht.