Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami i ka bërë thirrje rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Ramadan Zejnullahu, që t’i rikthehet punës për të vazhduar kauzën e tij për të ngritur cilësinë e arsimit në Universitet.
Lidhur me vendimin e ministrit për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Drejtues për shkarkimin e rektorit Zejnullahu pati reagime gjatë ditës së sotshme që një vendim i tillë është bërë duke shkelur rregullat ligjore, por një gjë e tillë sipas Bajramit është bërë duke u bazuar në Ligjin për procedura administrative.
Bajrami ka ftuar dekanët e fakulteteve, anëtarët e Senatit dhe studentët e Parlamentit Studentor që të diskutojnë në mënyrë të civilizuar dhe të kulturuar, dhe ata të marrin vendim për të thirrur mbledhjen e Senatit dhe ta funksionalizojnë Senatin, dhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë atëherë le të merren vesh që të shkojnë në zgjedhje të mira.
Në një konferencë për media Bajrami tha se shfuqizimi i vendimit të Këshillit Drejtues dhe për rikthimin e rektorit në detyrë është marrë menjëherë pasi që janë parë vërejtje substanciale në procedura t shkarkimit
Bajrami: Rektori të kthehet sepse kauza e tij për detyrë është në gjysmë të rrugës
(Video)
“Kemi vërejtur këtë shkelje substanciale në procedurë dhe menjëherë kemi marrë vendim për anulimin e shfuqizimit të plotë të Këshillit Drejtues dhe për rikthimin e gjendjes së mëparshme, për rikthimin në detyrë të rektorit sepse rektori vazhdon të jetë në detyrë. Në kuptimin e Ministrisë ai nuk konsiderohet të jetë shkarkuar, dhe unë i bëj ftesë rektorit që të kthehet, ta marrë detyrën dhe të vazhdojë punën e vet… Mendoj se rektori ka për detyrë që të kthehet në detyrë, sepse kauza e tij për krijimin e Universiteti cilësor është në gjysmën e rrugës, ministria e mbështet, Qeverisa e mbështetë e inkurajon që ai të kthehet në detyrë që të vazhdojë me përpjekjet e tij për të ngrit standarde të cilësisë”, tha Bajrami.
Bajr ami u ka bërë thirrje dekanëve të fakulteteve, anëtarëve të Këshillit Drejtues , anëtarëve të Senatit dhe Parlamentit Studentor që të thërrasin mbledhjen e Senatit për të zgjedhur bllokadën dhe nëse jo atëherë të shkojnë në zgjedhje.
Bajrami: Të ulen bashkë dekanët e fakultetit, KD dhe të gjejnë zgjidhje, nëse jo atëherë le të shkohet në zgjedhje
(Video)
“I bëjë thirrje rektorit të Universitetit të Prishtinës, i bëj thirrje të gjithë dekanëve të fakulteteve, ju bëjë thirrje të gjithë anëtarëve të Senatit, i bëjë thirrje të gjithë përfaqësuesve të studentëve në Parlamentin Studentor që të ulen si njerëz të civilizuar, si njerëz të kulturuar, si njerëz të përgjegjshëm dhe akademi të vazhdojnë punën, të thërrasin sa më shpejt mbledhjen e senatit të bisedojnë për një zgjidhje akademike ta bëjnë funksional senatin… Nëse nuk mund të m erren vesh që t’i ushtrojnë detyrat që ia ka dhënë ligji atëherë le të funksionojnë dhe le të merren vesh që të shkojnë në zgjedhje të mira”, tha Bajrami.
Përveç se ministri e quan të drejtë vendimin e marrë për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Drejtues , ai ka inkurajuar këtë Këshill që të shtrojnë ankesë ashtu siç kishte inkurajuar rektorin për të bërë ankesë, e që një gjë e tillë nuk ndodhi.
Kundër shkarkimit të rektorit sot është mbajtur një protestë, ku u kërkua kthimi i rektorit Zejnullahu si dhe kanë kërkuar shkarkimin e dekanëve, anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Bajrami ka thënë se këto kërkesa ata duhet t’ i adresojnë në Universitetin e Prishtinës pasi që siç ka thënë Bajrami kërkesat të cilat kanë pasur të bëjnë me juridiksionin e Ministrisë janë realizuar.
Bajrami: Vendimi i Ministrisë së Arsimit plotësisht i ligjshëm
(Video)
“Vendimi i Ministrisë së Arsimit është plotësisht i ligjshëm, i bazuar plotësisht në Ligjin për procedurën e administrative, plotësisht brenda kompetencave të ministrisë e cila e mbikëqyr ligjshmërinë e punës dhe unë inkurajoj të gjithë ata anëtar të Këshillit Drejtues që kanë rezerva inkurajoj që të shtrojnë ankesë sikur që e kam inkurajuar edhe rektorin që të bëjë ankesë, ne duhet të veprojmë si institucionalisht. Sa i përket kërkesave të sotshme mendoj që ato kërkesa duhet të adresohen në Universitetin e Prishtinës, kërkesat që kanë të bëjnë me juridiksionin apo me mandatin e ministrisë tani më janë realizuar ne kemi shfuqizuar dhe rektori vazhdon të jetë në detyrë”, tha Bajrami.
Sa i përket shkarkimit të kryetares së Këshillit Drejtues, Shefkije Islamaj, ministri Bajrami tha se një vendim i tillë ka ardhur si pasojë e procedimit jo ligjor të kërkesës për shkarkim sepse ka pas shkelje esenciale procedurale. Sipas Bajramit nuk lejohet të procedohet një kërkesë për shkarkim në qoftë se për një kërkesë të tillë nuk është deklaruar Senati, dhe kjo ka qenë një shkelje që ka shqetësuar opinionin, studentët. Për këtë ai se duhet të ketë përgjegjësi, ku sipas tij Islamaj si kryesuese e Këshillit është dashur që ta shtyjë këtë deri sa të plotësohet kushti.
Ndryshe protestuesit sot i kanë dhënë afat Ministrisë së Arsimit që nëse deri të mërkurën e ardhshme nuk i procedon kërkesat e tyre atëherë ata do të mblidhen prapë për të protestuar që Universitetit të Prishtinës t’i kthehet autonomia e tij dhe të largohet “autonomia e krimit”