Lajmet e fundit
Ministri Hoxhaj flet vetëm për prioritete-jo për dështime

Ministri Hoxhaj flet vetëm për prioritete-jo për dështime

Serbia është duke paraqitur problem edhe pas marrëveshjes së Brukselit lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale. Kështu ka deklaruar shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj, gjatë raportimit të sotëm në Komisionin parlamentar për Politikë të Jashtme.

Ai ka thënë se nga pesë organizata rajonale dy prej tyre Kosova nuk është pranuar për shkak të bllokadës serbe.

Në këtë raportimim të ministrit Hoxhaj, anëtarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar dhe njohjet.

Ministri Hoxhaj tha se gjatë periudhës raporteuese Kosova është njohur edhe nga katër shtete tjera mjaft të rëndësishme. Kurse paralajmëroi zgjerimin e misioneve diplomatike në Panama dhe Egjipt. Ai tha se që nga viti i ardhshëm do të hartohet platforma per politik të jashtmë.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në një të ardhme të afërt pesë vendet e BE-së ta marrin vendimin historik për njohjen e Kosovës.

“Përfshirja e Kosovës në dialogun me Serbinë duke fuqizuar pozitën tonë ndërkombëtare dhe nga kontaktet dhe vizitat e mija të shpeshta në disa prej këtyre vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – ka prodhuar një disponim dhe momentum të ri politik të këtyre vendeve karshi njohjes së Kosovës. Ka një disponim për të lëvizur drejt njohjes së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ai nuk përmendi se cilat nga vendet do të tërheqin këtë hap të rëndësishëm në fuqizimin e  Kosovës në skenën ndërkombëtare. Por duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Bankën e Këshillit Evropian, nga e cila ka përfituar gjashtë milion euro ndihma, ai tha se edhe disa vende për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion si Greqia dhe Sllovakia kanë dhënë pro votën.

Kurse sa i përket ambasadorit të Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimit, i cili është në paraburgim në rastin e Grupit të Drenicës”, Hoxhaj, ka bërë të ditur se përderisa nuk ka vendim të gjykatës, Selimi do të jetë ambasador në atë shtet.

Selimi sa ka qenë përfaqësues diplomatik i shtetit në Tiranë ka marrë pagë prej 3.748 eurove dhe se paga e ambasadorit akoma figuron në listën e pagave të kësaj ministrie, si dhe ka siguruar listën e pagave të ambasadorëve ku shihet vlera e saktë e pagës mujore të tij.

Sipas një përllogaritje në bazë të pagës që ka marrë, për pesë muaj sa është gjendur në paraburgim (Qershor, Korrik, Gusht, Shtator dhe Tetor) Ministria e Punëve të Jashtme ka ndarë për të hiq më pak se 18.740 euro.

Kurse, sa i përket marrëdhënieve bilaterale dhe marrëveshjeve diplomatike, sipas ministrit Hoxhaj, prioritet mbi prioritetet është anëtarësimi në këshillin e Evropës dhe në dy organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe njohjet e reja.

Sipas tij, do të jetë e dëmshme nëse Serbia do të anëtarësohet në BE para Kosovës, prandaj, këto dy shtete duhet të anëtarësohen në të njëjtën ditë.

“UNMIK-u po mbahet gjallë vetëm në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB, prandaj ai duhet të shuhet, mos të ekzistoi asnjë zyre më. Ndërsa për zëvendësimin e rezolutës 1244 duhet bashkëpunim ndërkombëtar”, ka thënë Hoxhaj, duke ju përgjigjur kështu pyetjeve të anëtarëve të komisionit.

Shefi i diplomacisë kosovare, po ashtu është pyetur edhe për keqpërdorimet në MPJ dhe në shërbimet diplomatike të Kosovës, për parregullsitë e ndryshme, si dhe për punën e tij si kryediplomat i shtetit.

Hoxhaj ka mohuar se ka marr mëditje ndonjëherë gjatë udhëtimeve jashtë vendit, ndërsa ka theksuar se Kosova nuk do të heqë dorë nga aspirata për anëtarësim në OKB.

“Në janar të 2014 ne do ta kemi një listë përfundimtare të njohjeve. Serbia është duke e vazhduar agjendën për pengimin e njohjeve”, ka thënë ai.

Kurse sa i përket, pyetjes së a është Pëllumb Kallaba shef i kabinetit të tij, ministri Hoxhaj më tutje ka thënë ai është shef i kabinetit të tij, por ka mohuar se ka konflikt interesi ngase, ai është djali i ambasadorit të Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba.

“Nuk kam informatë se dikush nga institucionet tona kanë keqpërdor. Sa i përket ambasadorit Kallaba, sjellja e tij në raport me punëtorët nuk është objekt trajtimi i ministrit. Është çështje qe ka të bëjë me të dhe me ish-shoferin e tij”, ka thënë ai.

Raportimi i sotëm i ministrit Hoxhaj është i treti me radhë dhe i fundit për këtë vit para Komisionit për Politikë të Jashtme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.