Lajmet e fundit
Ministri i Brendshëm ka një porosi para ndeshjes Shqipëri – Serbi

Ministri i Brendshëm ka një porosi para ndeshjes Shqipëri – Serbi

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Saimir Tahiri dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako zhvilluan sot një takim me strukturat e policisë vendore në Elbasan. Drejtori Çako u shpreh se ka nisur një tur takimesh për të analizuar faktorët që ndikojnë në rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë, si edhe rritjen e eficensës në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për ndeshjen Shqipëri-Serbi, ku ministri Tahiri ka folur para mediave edhe për masat që ka marrë Policia e Shtetit për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri – Serbi që do të luhet me 8 tetor në qytetin e Elbasanit.

Ai tha se është ngritur një grup pune për të parë dhe për të marrë të gjitha masat e sigurisë në lidhje me ndeshjen, ndërsa i ftoi shqiptarët që atë ditë të bëjnë tifozllëk për kombëtaren por të tregojnë edhe mikpritjen.

“Kryeministri ka ngritur një grup pune për të parë dhe për të marrë të gjitha masat e sigurisë në lidhje me ndeshjen. Policia e Shtetit edhe në ndeshjen e kaluar bëri një provë të përgjithshme së bashku me Federatën për të garantuar të gjitha kushtet që të mos ketë asnjë problem lidhur me ndeshjen. Unë besoj që qasja e Policisë dhe gjithë institucioneve, në bashkëpunim me Federatën është qasja e duhur, për të garantuar që dita e ndeshjes të jetë ditë feste për qytetarët e jo ditë për t’u cenuar nga çdo akt që do ishte i pahijshëm, për ne, për traditën, për vendin dhe mbi të gjitha për qytetarët. Dhe në këtë kuadër unë do të doja t’i bashkohesha asaj që ka bërë Kryeministri, për atë që ka bërë Federata, për të gjithë qytetarët që të tregojmë vlerat e shoqërisë tonë në atë ditë, duke mbështetur kombëtaren, por duke treguar edhe maksimumin e mikpritjes dhe qytetarisë që na karakterizon”, tha Tahiri, përcjell ksp.

Leave a Reply

Your email address will not be published.