Ministri i Diasporës, Valon Murati, gjatë vizitës së tij në Zvicër, takoi prindërit, mësimdhënësit dhe drejtuesit e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër “Naim Frashëri” (LAPSH).
Gjatë takimit u diskutuan shumë cështje që lidhen me mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, me këtë rast në Zvicër, ndërsa në vecanti u diskutua për shkaqet e numrit jo shumë të kënaqshëm të nxënësve të cilët vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër. Me këtë rast, ministri Murati përpos që njoftoi bashkatdhetarët për themelimin e grupeve punuese për implementimin e marrëveshjes ndërshtetërore me Shqipërinë për mësimin plotësues, duke theksuar se ky proces është duke u zhvilluar me dinamikën e paraparë, kërkoi nga bashkatdhetarët që masivisht ti përgjigjen ftesës së institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për dërgimin e fëmijëve në shkollat e gjuhës shqipe. “Mësimi i gjuhës shqipe nuk i pengon fëmijët që të mësojnë gjuhët e vendit pritës. Përkundrazi, mësimi i gjuhës amtare vetëm sa ndihmon në masë të madhe mësimin e gjuhëve të huaja, si dhe fuqizon integrimin tuaj në shoqërinë ku jeni duke jetuar. Kjo është mesazhi që kam marrë edhe nga autoritetet federale zvicerane”, ka porositur ministri Murati.
Nga ana tjetër grupi i mësimdhënësve dhe prindërve të pranishëm në takim, konfirmuan se numri i nxënësve ka shënuar një ulje, mirëpo u shprehën optimistë që përpjekjet dhe përkrahja e dy qeverive do të rezultojnë në ngritjen si të nivelit ashtu edhe të numrit të nxënësve që vijojnë shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.