Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se miratimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian nga Këshilli i Bashkimit Evropian ka qenë një vendim i shumëpritur nga Brukseli.
Jahjaga ka shkruar në facebook se ky është hapi i parë i anëtarësimit në këtë union.
“Kemi rrugë të gjatë para vetes, por kjo rrugë tashmë është e qartë dhe e pakthyeshme”, ka shkruar Jahjaga.
Kurse, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjithashtu në facebook ka shkruar se pas fitores në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s dje, Kosova sot korri një tjetër fitore në arenën ndërkombëtare, duke siguruar miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
“Ky miratim jep dritën jeshile për nënshkrimin e MSA-së me 27 tetor në Strasburg duke hapur një kapitull të ri në procesin e integrimit evropian të vendit tonë”, ka shkruar Thaçi.