Lajmet e fundit

Misioni multimilionësh i bordeve politike

Të deleguarit e Isa Mustafës e Hashim Thaçit, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të emëruar ditë më parë do të kenë vetëm një mision primar.

Ata do të kenë detyrë që të fusin në buxhetin e vendit nga fundi i privatizimit 59 milionë euro.

Gazeta Fjala merr vesh nga burimet brenda AKP-së se pavarësisht se dihet që ky bord do të jetë jo funksional dhe vendimet që do të marrë do të jenë të jashtëligjshme, patjetër është dashur që ata të emërohen.

“Ky bord u votua me të vetmin qëllim që shteti të mund të marrë 59 milionë eurot nga privatizimi”.

“Nëse bordi nuk do të emërohej në këtë mënyrë, buxheti i shtetit do të mbetej pa  këtë shumë”, thotë ky burim për Gazetën Fjala.

Një shkelje tjetër që është bërë gjatë përzgjedhjes së bordit është edhe numri i anëtarëve nga ana e qeverisë.

E që sipas ligjit në fuqi do të duhej që 5 anëtarë të emëroheshin nga qeveria kurse 3 nga faktori ndërkombëtarë.

Me votimin e tetë anëtarëve është shkelur paragrafi i dytë i nenit 8 të Ligjit të AKP-së, i cili i jep kompetencë Kuvendit që të emërojë vetëm pesë anëtarë të Bordit të AKP-së.

Kurse, paragrafi i tretë i nenit 8 thotë se tre anëtarët e tjerë të Bordit emërohen nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar.

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ishte çështja e fundit për të cilën deputetët e Kuvendit të Kosovës, votuan para se të shkonin në pushimin dimëror. Mirëpo për votimin e tij u deshën të mbaheshin dy seanca pasi që në të parën e cila u mbajt vetëm nga partitë në pushtet, nuk arriti të kaloi.

Votimi për tetë anëtarët e rinj të këtij bordi u kritikua ashpër nga opozita dhe shoqëria civile për shkak të politizimit.

Emrat politik të AKP-së

Me gjithë këto kritika, anëtarët e bordit të AKP-së që u votuan në seancën e 17 dhjetorit janë, Petrit Gashi kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skender Komoni, Ismail Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Djokic, Bajram Zejnullahu

Bajram Zejnullahu ka qenë kandidat për deputetë nga radhët e PDK-së, ku ka pasur numrin 106 në listën e deputetëve.

Hasime Mazreku Krasniqi, ishte kandidate për deputete nga radhët e PDK-së. Ajo gjithashtu ishte deputete në legjislaturën e katërt të Kuvendit nga PDK.

Hamdi Jaha ka qenë drejtor i drejtorisë për inspekcion në Komunën e Podujevës. Komunën e Podujevës e ka LDK-ja dhe në AKP Jaha është emëruar si i afërt me këtë parti që edhe i takon.

Petrit Gashi  ish-këshilltar i ministrit Lutfi Zharku sa ky i fundit mbante pozitën e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë nga LDK.

Edhe Ismail Jonuzi është afërt me LDK-në, ai ka qenë kandidat i LDK- së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 ku nuk arriti të marr vota të mjaftueshme për tu bërë deputet.

Skender Komoni edhe më herët ka qenë anëtar i Bordit të AKP-së, gjatë koalicionit PDK-AKR, përderisa emri i tij së fundi është gjendur në dosjet e Prokurorisë së Pejës në dyshimet për diplomë false në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.

Haxhi Arifi është krye-sindikalist,  ai është pjesë e këtij bordi tani e disa vite.

Bordet tjera që arritën të kompletoheshin këtë vit e ku partnerët e koalicionit ndanë hise për simpatizantët e vet janë edhe ai i KOSTT, ZRRE, Trainkos, Postës, Arkep-it e Ibër Lepenci.

Bordi i KOSTT-it

Emrat e anëtarëve të rinj të bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike lidhen më tepër me njerëz që i takojnë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Drita Konxheli-Radoniqi (LDK)- Kryesuesja e këtij bordi kishte qenë kandidate për deputete nga radhët e LDK-së në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Në zgjedhjet e brendshme të LDK-së ajo mori votat e duhura për të qenë pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Musa Misini (LDK)- si anëtarë i këtij bordi dikur kishte kandiduar për deputet të LDK-së.

Nebih Zariqi (LDK)- ka qenë anëtar i këshillit të përgjithshëm të LDK-së.

Anita Cucoviç (Grupi 6+) Ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, nga radhët e koalicionit boshnjak Vakat, e që tash është në grupin parlamentar 6 + në Kuvendin e Kosovës.

Afrim Prekazi (PDK)- Emri i tij figuron si konkurrues për kuvendin komunal në Mitrovicë nga PDK në zgjedhjet lokale të vitit 2007.

Bordi i ZRRE-së

Qeveria e Kosovës ka emëruar tre anëtarët e rinj të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, pasi që dy emra të tjerë Enver Halimi si kryesues dhe Krenar Bujupi si anëtar janë zgjedhur më herët.

Arsim Janova(LDK) ishte zëvendësministër i Drejtësisë dhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qemajl Mustafa (PDK) është  ish-kryetar i Gjilanit nga PDK-ja.

Besim Sejfijaj (LDK) nga viti 2002-2010 ka qenë kryetar i degës së LDK-së në Deçan.

Bordi i Postës së Kosovës

Edhe në bordin e Postës së Kosovës u rehatuan njerëzit e dy partive në pushtet.

Halit Isufi (PDK), i cili do të jetë prapë kryesues i bordit të kësaj ndërmarrjeje, është anëtarë i kryesisë së PDK-së në Gjakovë.

Rushan Cekën anëtari tjetër i bordit  ishte prezantuar në fushatën zgjedhore të Besim Ilazit, kryetarit aktual të Kaçanikut si anëtar i shtabit zgjedhor të PDK-së në Kaçanik.

Metije Jashari, është nusja e djalit të Agim Veliut, kryetarit të Podujevës që është njëkohësisht edhe nënkryetar i LDK-së.

Anëtari tjetër i bordit që ka pasur afërsi me njerëz të LDK-së është Mejdi Xhokli. Bazuar në biografinë e tij të prezantuar nga vetë Xhokli, ai ka qenë këshilltar i ish-ministrit Qemajl Ahmeti.

Bordi i Trainkos

Në Trainkos qeveria emëroi këta emra Sadik Kryeziu, Naim Gashi, Bujar Hasimi, Nusri Sallahu dhe Mustafa Mustafa.

Labinot Halilaj (PDK)- Ai figuron si anëtar i Kryesisë në Partinë Demokratike të Kosovës, dega në Drenas.

Sadik Kryeziu(LDK) kryesuesi i bordit, është anëtar i kryesisë së LDK-së në Malishevë.

Bujar Hasimi (LDK) duket të jetë simpatizues i flakët i Lidhjes Demokratike të Kosovës, bazuar në aktivitetin e tij në rrjetet sociale.

Bordi i Ibër Lepencit

Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të Skenderajt nga radhët e PDK-së, u emërua anëtar i bordit të “Ibër Lepencit”.

Anëtare e këtij bordi u emërua edhe Albiona Maloku motra e Vlora Dumoshit, shefes së stafit të kryeministrit Mustafa, raportuan mediat.

Naser Canolli i emëruar në bordin e Aeroportit të Gjakovës, është drejtor i Gazetës Zyrtare. Në këtë bord u emërua edhe Nuri Bahtjari, që ishte kandidat për asambleist në Komunën e Prishtinës, në zgjedhjet e fundit lokale.

Bordi i ARKEP-it

Kreshnik Gashit, Bahri Anadollit, Njazi Ademajt, Hazir Hajdarit dhe Shqiprim Pulës janë anëtarët e rinj të bordit të Autoritetin rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Kreshnik Gashi dha dorëheqje nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pasi u zgjodh të hënën nga Kuvendi i Kosovës kryesues i Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare- ARKEP. /Gazeta Fjala/

Leave a Reply

Your email address will not be published.