Numri i familjeve që përfitojnë skema sociale nga viti në vit është duke rënë lehtë. Sipas rezultateve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale në tre mujorin e tretë të vitit 2015, ishte 27.609 dhe krahasuar periudhën e njëjt të vitit të kaluar, numri i familjeve që kanë përfituar nga kjo skemë ka shënuar rënie për 1,929 ose shprehur në përqindje 6.5%.
Numri i familjeve që marrin ndihma sociale në vitin 2014 dhe 2015, është më i vogël nëse e krahasojmë më vitin 2013 për 7.7 %.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale, Bashkim Bellaqa,i cili tha për KosovaPress se gjatë vitit 2013 numri i anëtarëve që kanë përfituar ndihmë sociale ka qenë mbi 123 mijë.
Nga i gjithë ky numër, komuna e cila prin me rastet sociale është Mitrovica, ku numri i ekonomive familjare që kanë përfituar ndihma social në tre mujorin e tretë të vitit 2015 është 1981.
Drejtori i Drejtorisë për Integrime dhe Mirëqenie Sociale në Mitrovicë, Qazim Nimani, ka bërë të ditur për KosovaPress se numri i përfituesve të ndihmave sociale është rritur si pasojë e papunësisë së madhe në këtë komunë.
Sipas tij, këto ndihma nuk përmbushin as për së afërmi kërkesat e familjeve, ndërsa përfituesit dominohen pothuajse njëjtë, si nga zonat rurale, ashtu edhe nga zona të ndryshme të qytetit.
Pas Mitrovicës, komuna që më së shumti marrin ndihma sociale, është Prishtina me 1 mijë e 699 familje përfituese, pastaj Gllogovci me 1 mijë 587 ekonomi familjare.
Sa i përket viteve të mëparshme gjatë vitit 2009, numri i ekonomive familjare që kanë përfituar nga ndihma sociale ka qenë mbi 35 mijë, në vitin 2010, mbi 36 mijë, në vitin 2011, mbi 34 mijë dhe në vitin 2012, rreth 31 mijë familje./KosovaPress/