Lajmet e fundit

Mosliberalizimi goditi ekonominë, qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka shprehur shqetësimin e saj për lajmin se Kosova nuk i ka plotësuar ende kriteret për të udhëtuar lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë sot gjatë një konference me temë “BE-ja godet ekonominë, qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës”, se ky raport Qeverinë e Kosovës e godet dhe e demanton në deklaratat e tyre të vazhdueshme muajve të fundit ku ndër të tjera deklaronin se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret për të lëvizur lirshëm në BE.

“Biznesin dhe buxhetin familjar e godet me një shpenzim shtesë për vitin 2016, ku duhet prapë të shpenzojnë rreth 30 milionë euro për viza, sigurime, rezervime të hoteleve, nëpër Ambasada dhe agjenisone të ndryshme”, theksoi ai.

Sipas Shahinit, BE-ja investitorët potencialë i paralajmëroi se në Kosovë ende ka shumë punë për të bërë, tha se ata nuk i plotësojnë kushtet më elementare për të vepruar dhe qarkulluar lirshëm në vendet e BE-së.

“Ky hap, godet interesimin e investitorëve për të ardhur në Kosovë dhe e dëmton imazhin e shtetit edhe më shumë. Vështirësia e lëvizjes nëpër tregjet evropiane, bizneseve vendore po ia imponon të vazhdojnë importet nga vendet regjionale si: Serbia, Maqedonia, Shqipëria e Bosnja dhe me këtë e rrit rolin e imputeve dhe praninë e prodhimeve të regjionit”, ka thënë tutje ai.

Shahini ka shtuar se qytetarëve të Kosovës iu shuan shpresat se do të udhëtojnë pa viza dhe kjo, sic ka thënë ai, do të rris ambiciet për të lëshuar vendin ilegalisht.

“Nga kjo do të hapet prapë një biznes i ri për trafikim dhe kontrabandë të qytetarëve tanë për në vendet e BE-së. Bizneset dhe qytetarët Kosovës do të detyrohen të marrin dy shtetësitë edhe më tutje nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe vendet tjera. Me këtë fluks të ikjes për të marr shtetësi tjetër do të varfërohet edhe më tutje fuqia konsumuese dhe buxheti i shtetit”, tha Shahini.

Ai tutje potencoi se bizneset dhe qytetarët vendës me të drejt pyesin BE-në se “a është ky shpërblim që dje Serbisë iu mundësua fillimi i negocimit për anëtarësim në BE, kurse po dje BE-ja deklaroi se Kosova ende duhet të bëjë punë dhe përparime për procesin e liberalizimit të vizave dhe kështu Kosova mbetet vendi më i izoluar në Ballkanin perëndimor dhe në Evropë”.

Shahini tha se nga kjo do të mund të rritet edhe ekstremizmi etnik dhe fetar, duke e ndjerë se Kosova është ndarë në baza fetare, etnike dhe territoriale, që për këtë nuk dëshiron askush.

“I kërkojmë BE-së që sa më shpejt të ratifikojë Marrëveshjen e MSA-së dhe të veprojë sipas standardeve që ka aplikuar me vendet tjera të Ballkanit që pas 6 muajve të lëvizin lirshëm pa viza, sepse këtë të drejtë e gëzojnë më shumë se 500 milionë qytetarë të BE-se por jo edhe 1.800.000 kosovarë”, tha Shahini.

Kurse, Suat Berisha, nënkryetar i AKB-së, tha se mos liberalizimi i vizave nga BE-ja për qytetarët e Kosovës është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për lëvizjen e lirë të tyre.

Sipas tij, po ashtu është në kundërshtim të drejtpërdrejt me parimet themelore të BE-së për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve dhe kapitalit.

“BE-ja duhet që të ndëshkojë qeveritarët për mos përmbushje të kritereve për mos liberalizim të vizave, por jo edhe qytetarët e pafajshëm të cilët po i bartin pasojat dhe vuajtjet për shkak të pamundësisë së lëvizjes së lirë në vendet e BE-së”, tha Berisha.

Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së, i bëri thirrje pozitës dhe opozitës që të bashkohen e punojnë për çështjet madhore të shtetit e mbështesin njëra-tjetrën për interes të biznesit, ekonomisë e qytetarëve të Kosovës.

Sipas saj, nuk ka arsye që institucionet të Kosovës të konfrontohen ndërmjet vete, kur vendi pësoi dy dështime brenda një afati të shkurtër, mos anëtarësimi në UNESCO dhe mos liberalizimi i vizave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.