Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një note proteste të pranuar nga autoritetet e Republikës së Kroacisë, është informuar se diplomati Urtak Hamiti, ministër këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Zagreb, ka kryer sjellje jo dinjitoze dhe jo profesionale, gjatë misionit në Kroaci.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, pas kësaj ankese, ka vendosur tërheqjen e menjëhershme të diplomatit Hamiti nga misioni në Kroaci dhe kthimin e tij në Prishtinë.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka iniciuar krijimin e një komisioni në kuadër të MPJ-së, i cili do të shqyrtojë në tërësi rastin.
MPJ i ka shprehur keqardhje autoriteteve të Republikës së Kroacisë, pas ankesës për sjelljen jo dinjitoze të diplomatit të saj në kuadër të Ambasadës së Kosovës në Zagreb.