Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka vlerësuar se Kosova nuk ka shënuar ndonjë përparim gjatë vitit që po shkon. Përkundrazi, sipas tij, gjatë kësaj kohe, qeveria ka nënshkruar marrëveshje në dëm të shtetit të Kosovës, dhe si rrjedhojë e kësaj siç ai është shprehur, ka pasur edhe veprime të “rënda” nga ana e opozitës.
“Kosova në vitin 2015 ka shënuar kthim mbrapa në disa segmente. Për fat të keq, jetesa për njerëzit ka ardhur vetëm duke u rënduar dhe kjo ka bërë që njerëzit të nisen në rrugë pa krye për një jetë më të mirë. Pozita dhe opozita e kanë këputur çdo lloj bashkëpunimi dhe kjo ka bërë që situata të percipitojë. Ka ndodhur që qeveria aktuale t’i nënshkruajë dy marrëveshje, me të cilat është shkelur Kushtetuta e vendit”, ka thënë ai për Gazetën Blic.
Përkundër këtyre, anëtari i Kryesisë së AAK-së, MSA-në e ka konsideruar si një lloj suksesi, përderisa si veprime aspak të mira, i ka klasifikuar bisedimet me Serbinë (mënyrën si janë zhvilluar ato), marrëveshjet që kjo qeveri ka arritur me shtetet fqinje, burgosjen e deputetëve të opozitës. Por krahas këtyre, në të njëjtën kategori, ai ka i futur edhe disa veprime të partive opozitare (gazin lotsjellës dhe hedhjen e vezëve), ndonëse i ka quajtur si të domosdoshme ato.
E krejt në fund, ai ka konsideruar, se figura më negative për vitin që po ecën, do të mbetet Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.