Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë që kryeministri Mustfa dhe eksponentët e tij është më mirë të merren me vetveten sesa me opozitën. Ai në një deklaratë për gazetën Blic ka theksuar së ngjarjet e sotme në Kuvend duhet të bëjnë që të reflektoj Isa Mustafa me partnerin e koalicionit.
Lexojeni të plotë deklaratën e tij dhënë për Gazetën Blic:
Kryeministri Mustafa dhe eksponentët e tij, është më mirë që të merren me vetën e tyre se sa t’i gjuhen opozitës. Sigurisht se ngjarjet e sotme në Kuvend nuk kanë qenë me të hijshmet e mundshme, por kanë qenë e keqja e domosdoshme. Nuk është e jashtëzakonshme të gjuhet kryeministri me vezë. Parlamentet e gjithë botës, njohin praktika të tilla, apo shumica parlamentare është mësuar mos me ia prish kush tymin, e tash që iu kall bishti, u kall gjithë dynjaja!
Ata që duhet rflektuar në këtë situatë tepër të ndjeshme, janë Isa Mustafa dhe partnerët e tij.
Nuk ndihmohet as shteti e as institucionet e tij, e aq më pak Isa Mustafa, nga njerëz të cilët argumentin e vetëm e kanë, se kjo qeveri qenka qeveri elefantësh. E para, ka pasur qeveri shumë më të forta se sa kjo e Kosovës dhe kanë rënë përtokë, dhe e dyta, po e mashtrojnë kryeministrin!
Ka kohë që në Kosovë vërehet një pakënaqësi në rritje, edhe politike edhe qytetare, pikërisht për marrëveshjet kontestuese, dhe kryeministrit dhe partnerëve të tij, as që u ka intersuar kjo punë. Ka më shumë se dy muaj që gjithë mileti po flet se si Kosovës po i merren mbi 8 mijë e 200 hektarë, dhe ai s’ka burrni as me e përmend këtë cështje!
A ju kujtohet hera e fundit se kur Isa Mustafa e ka takuar qoftë edhe një njeri nga opozita. Sigurisht se jo, sepse kjo nuk ka ndodhur kurrë. Nuk ka ndodhur as këta muaj kur pakënaqësitë shiheshin për rrugë e për diell.
Ky kryeministër nuk e ka pasë kurajon që për marrëveshjet më të rëndësishme të pasluftës në Kosovë, të diskutojë në asnjë vend, madje as në Kuvend. Dhe kur gjithacka është e kryer, ai bëhët sikur po e informon Parlamentin. Kjo është një taktikë, që ngjet shumë në strategjitë autoritare komuniste.
Prandaj cfarë ka mundur të presë Kryeministri….se do ta presin me lule!
Nëse ka njerëz që duan ta ndihmojnë shtetin dhe pushtetin, ata duhet ta këshillojnë Kryeministrin Mustafa, që të reflektojë dhe t’i gjejë modalitetet e përmbysjes së këtyre marrëveshjeve, (kjo mund të bëhët përmes kuvendit, edhe pa i tërhequr nënshkrimet) dhe shkrimit të marrëveshjeve të reja me kto korrigjime :Demarkacioni me kufirin ku ka qenë gjithmonë dhe ASK, krejt si Asociacioni egzistues i Komunave.
Nëse ai dhe njerëzit e tij vazhdojnë të shohin ëndrra se si qenkan qeveri elefantësh, mos të befasohen se për këtë qeveri, shumë shpejt do të flasin në kohën e shkuar.
Ky nuk është kurrfarë shantazhi, por vetëm një zë, se gjërat mund të bëhen shumë më keq se sa që janë.