Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka folur për takimin e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashit dhe Zyrtarit të AAK-së Blerim Kuçit, me ç’rast ka thënë se ky takim ka qenë vetëm miqësor, raporton Gazeta Blic.
“AAK është e hapur. Gjithmonë ka qenë e gatshme të flasë me të gjithë që kanë pasur vullnet të mirë që të dilet nga situata e krijuar. Me të gjithë që e kane parë se dy marreveshjet janë të dëmshme për vendin.
Takimi ka qenë miqësor dhe pa obligime për asnjërën palë, por edhe si i tillë është i mirëseardhur. Këtu njerëzit kanë hyrë në istikame dhe nuk po pranojnë të sillen si politikanë te përgjegjshëm”, ka thënë ai.
Nitaj është shprehur i bindur se Marrëveshja për Demarkacionin do të bie, qëllim ky që edhe është i AAK-së sipas tij.
Ai më pas ka shtuar se kjo parti nuk synon që ta rrëzojë Qeverinë aktuale, por vetëm tërheqjen e marrëveshjeve.
Demarkacioni do te bie dhe është mirë që po reflektojnë vetë ata që janë shumicë parlamentare. Por kjo është gjysma e punës. AAK nuk ka asnjë pretendim që ta rrëzojë as Hashim Thacin as Isa Mustafën. Qëllimi i vetëm është heqja e marrëveshjeve që e rrezikojnë integritetin territorial të Kosovës, dhe që e shndërrojnë në hisenik të pavarësisë së Kosovës edhe Serbinë. Sapo të hiqen këto dy rreziqe, AAK do të kthehet në jetën normale parlamentare. Kjo është e vërteta dhe krejt të tjerat janë spekulime.
Ndërsa, sot gjatë ditës u raoporta se Ministri Abrashi dhe zyrtari i AAK-së janë ulur për të biseduar rreth Demarkacionit, në një nga zyret brenda Qeverisë së Kosovës.