Analisti Muhaxhiri ka thënë se puna e Gjykatës Kushtetuese meriton lëvdata, megjithë presionin e madh në të cilin është marrë vendimi. Ndërsa, më tutje ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë kauzën e Opozitës.
Analisti Artan Muhaxhiri, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me përputhshmërinë e disa pikave të caktuar të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Muhaxhiri ka thënë se puna e Kushtetueses duhet vlerësuar, pavarësisht situatës në të cilën është marrë vendimi, njofton Klan Kosova.
“Duhet të vlerësohet puna e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht presion të madh politik dhe medial”.
“Përgjithësisht duket një punë shumë e mirë dhe duhet ta qartësoj këtë mjegullnajë lidhur me Asociacionin”.
“Pika e dytë e qartëson se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të themelohet, shpërputhjet nuk janë aq të mëdha sa që e gjithë marrëveshja të bie”.
Ai, më tutje, ka theksuar se përgjegjësia e kryeministrit Isa Mustafa është e tipit “komandues”, ndërsa ka shprehur habinë e tij me gabimet e ekspertëve juridik që kanë marrë pjesë në përpilimin e pikave për marrëveshjen.
“Mendoj se zoti Mustafa ka përgjegjësi komanduese ndaj ekipit, sinqerisht nuk e di cili ekip i juristëvë ka qenë i përfshirë në këtë grup, ai grup duhet të largohet duhet të shkarkohet”.
Muhaxhiri po ashtu ka thënë se vendimi i Kushtetueses në një formë e vërteton kauzën e Opozitës së Bashkuar, njofton Klan Kosova.
“Nëse Gjykata Kushteteuse thotë së në këto tri elemente që është baza e frymës nuk ka përputhje të plotë, atëherë dikush duhet të jap përgjegjësi. Ky aktvendim e vërteton kauzën opozitare”.