Deputetët Vjosa Osmani nga LDK dhe Ilir Deda nga Vetëvendosje kanë paraqitur dje një propozim marrëveshje për të dalë nga kriza politike.
Ata madje kanë thënë se këtë ide të tyre e kanë përkrahur edhe kolegët e tjerë nga Kuvendi i Kosovës.
Analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për Indeksonline e ka cilësuar këtë nismë të deputetëve Osmani e Deda si një nismë konkrete, e qartë dhe praktike e cila do të duhej të merrej në konsideratë.
“Deda dhe Osmani janë të vetmit nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë prezantuar një plan konkret. Është një nismë konkrete, e qartë dhe praktike, e cila do të duhet të merrej në konsideratë. Nëse krerët politikë të vendit janë të interesuar ta zgjidhin krizën, atëherë duhet ta diskutojnë planin e dy deputetëve”, ka thënë Mushkolaj.
Ai më pas ka shtuar se kjo është një bazë e mirë që edhe Qeveria por edhe opozita të reflektojnë karshi pozicioneve të tyre.
“Besoj se është një bazë e mirë që Qeveria të reflektojë dhe të lëkundet nga pozicioni që ka mbajtur deri tash, por edhe opozita duhet të tregohet më racionale dhe të kontribuojë që kriza të zgjidhet”, u shpreh Mushkolaj për Indeksonline.
Ndërkaq sot në tubimin e opozitës që u zhvillua në Sallën e Kuqe asnjëri nga liderët e partive opozitare nuk kanë komentuar asgjë për planin e deputetëve Ilir Deda e Vjosa Osmani për dalje nga kriza.