Hashim Thaçi do të zgjidhet President më 2016. Kështu thonë në PDK derisa mohojnë se kryetari Hashim Thaçi mund të marrë postin e Kryeministrit në një ridizajnim të mundshëm të koalicionit qeverisës. Në këtë rast i pari i LDK’së Isa Mustafa do të udhëhiqte me zyrën e Presidentit të vendit.
Në PDK thonë se marrëveshja e koalicionit qeverisës në mes të PDK’së dhe LDK’së do të vazhdoj deri në përfundimin e mandatit, pa ndryshim të kryetarit të Qeverisë.
Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së, Basri Musmurati, për Gazetën Tribuna ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodh.
“Ne kemi koalicionin dhe marrëveshja vazhdon. Njerëz që shpikin gjëra të tilla nuk kanë me çfarë të merren tjetër”, ka thënë Musmurati.
Me marrëveshjen aktuale, zëvendës-kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi merr postin e Presidentit, pas përfundimit të mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga, në fillim të vitit të ardhshëm.