Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha të martën, gjatë bashkëbisedimeve me banorët e fshatrave Topanicë, Roganë, Muqivercë dhe Karaçevë e Epërme dhe e Poshtme të Kamenicës, se alternativa qeverisëse e LDK-së u përgjigjet nevojave të qytetarëve të krejt Kosovës, duke theksuar se besimin e qytetarëve të zgjedhurit e tyre do ta marrin si përgjegjësi për të qeverisur në mënyrë demokratike e transparente.
I shoqëruar nga Shaip Surdulli, kryetar aktual dhe kandidat i LDK-së për mandatin tjetër qeverisës në Kamenicë, Mustafa, tha se ishte i bindur se qeverisja e ardhshme e Kamenicës, e udhëhequr nga Shaip Surdulli, do ta zbatojë me përpikëri programin e LDK-së për krijimin e kushteve për perspektivë zhvillimore edhe në fshatra.
Ai tha se qeverisja e LDK-së angazhohet për shpërndarjen e investimeve sipas nevojave të qytetarëve, si dhe për krijimin e kushteve që njerëzit të mund të jetojnë me punën e tyre dhe duke shfrytëzuar resurset natyrore.
Mustafa tha se LDK-ja njeh dhe çmon lart kontributin që kanë dhënë banorët e kësaj ane, para, gjatë dhe pas luftës. Ai tha se zgjedhja më e mirë për banorët e këtij fshati dhe komunës së Kamenicës është kandidati Shaip Surdulli dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kandidati për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, theksoi se Rogana i plotëson kushtet për t’u bërë komunë dhe do bëhet gjatë qeverisjes së LDK-së.
Gjatë vizitës në fshatin Muqivercë, kryetari Mustafa dhe Surdulli shprehën bindjen se aleanca e LDK-së me qytetarët do të vazhdojë, ndërsa theksuan se për realizimin e premtimeve garanci do të jetë edhe qeverisja e ardhshme e Kosovës, e cila do të drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.