Lajmet e fundit

Mustafa dhe Vuçiç, takim në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pritet të takohen të martën në Bruksel në raundin e 29-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, në lidhje me procesin për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi u paralajmërua dje nga media në Beograd, ndërkohë që në 9 tetor njoftimet nga Brukseli bënin të ditur se, Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ndërmjetësuese e bisedimeve, ka ftuar në një darkë joformale, javën e ardhshme, kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç.

Tema e bisedimeve do të jetë përparimi i deritashëm në dialogun në normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillojnë takimin e gjashtë të tyre, ndërsa nga 28 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Leave a Reply

Your email address will not be published.