Lajmet e fundit

Mustafa: Do ta përfshijmë opozitën në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në një intervistë për Telegrafin deklaroi se viti 2015 do të mbahet mend gjatë si një vit i vendimeve të mëdha, por edhe i sfidave.

Ai shprehu bindjen e plotë se viti 2016 do të jetë vit i liberalizimit të vizave, gjë që është e domosdoshme edhe për të zbatuar si duhet Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Mustafa në këtë intervistë tha se koalicioni me PDK-në po funksionon shumë mirë dhe se nuk ka asnjë arsye që Hashim Thaçi të mos zgjidhet president.

Kreu i ekzekutivit kosovar, duke folur për situatën politike në vend, tha se ende nuk arrin të japë një shpjegim racional për hedhjen e gazit lotsjellës për katër muaj rresht brenda sallës së mbyllur të Kuvendit, ku përveç deputetëve dhe zyrtarëve tjerë ishin prezentë edhe dhjetëra përfaqësues ndërkombëtarë, të shoqërisë civile dhe gazetarë.

Mustafa theksoi se gjatë procesit të dialogut në vijim do të rrisin edhe më shumë transparencën dhe se do të jenë të hapur të përfshijnë opozitën në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve, të cilat u shpreh se do të bëhen në përputhje të plotë me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai më tej thekson se opozita nuk ka kauzë reale për të vazhduar me përpjekjen për të bllokuar punën e institucioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.