Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë dhe nuk dallon nga kushtetuat e vendeve demokratike. Ai ka thënë se këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, madje edhe Presidentja Jahjaga.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë në atë se kush ka drejtë të formojë qeverinë.
Mustafa në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Kushtetuta e Kosovës nuk dallon nga kushtetuat e vendeve tjera, dhe, sipas tij, këtë do të duhej ta kishte të qartë edhe Presidentja e vendit.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë për gjithë ata që duan ta kenë të qartë jetën demokratike. Qeverinë e themelon ai që e arrin shumicën në Kuvend. Këtë shumicë nuk e ka fituar në mënyrë të veçantë asnjë subjekt gjatë zgjedhjeve”.
“Qytetarët kanë vendosur se si do ta votojnë çdo subjekt politik (apo koalicioni parazgjedhor) dhe çdo kandidat për deputet, kurse koalicionet ndërmjet partive politike, mbi bazën e votave dhe besimit që e kanë marrë nga qytetarët, po vendosin se kush do ta qeverisë vendin”.
“ Asgjë nuk po vendoset jashtë fuqisë së votës. Prandaj edhe Presidentja e vendit duhet ta ketë të qartë Kushtetutën ashtu siç e kemi të gjithë ne. Kushtetuta jonë nuk është rast i veçantë kundrejt kushtetutave të vendeve të tjera demokratike dhe praktikave të njohura nga vendet evropiane. Shpresoj se Gjykata Kushtetuese nuk do ta interpretojë edhe kësaj radhe Kushtetutën, si në rastin e Presidentes dhe të na tregoj se “çfarë pret populli””, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.