Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa theksoi të mërkurën se mbështetja e fuqishme që iu dha LDK-së anembanë Kosovës, iu jep forcë që të vazhdojnë punën e madhe.
Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar një rritje jashtëzakonisht të madhe në nivel vendi.
“Një numërim prej 98% të votave kumulative të kryetarëve të komunave, tregon një rritje prej 50 345 vota në krahasim me vitin 2009 (rritje prej rreth 30%), dhe një rritje prej 56 634 vota në krahasim me zgjedhjet e vitit 2010. Para së gjithash, kjo rritje është meritë e qytetarëve të Kosovës, të cilët treguan besim për programet e kandidatëve tanë, dhe ne ju sigurojmë që këto programe do të zbatohen ashtu siç janë premtuar”, tha ai.
Sipas tij, rritja e LDK-së është e konsiderueshme edhe në asambletë komunale, nëse krahasohet me vitin 2009, pasi siç tha ai ka një rritje prej rreth 21 mijë votash.
“Kjo rritje e LDK-së prej mbi 50 000 votash, përderisa të gjitha partitë e tjera kanë rënie të konsiderueshme të votës, dëshmon fuqinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëshmon ripërtëritjen e saj të vazhdueshme, rezultat i së cilës, pashmangshëm, do të jetë fitorja në zgjedhjet e ardhshme nacionale”, tha ndër të tjera, Mustafa.