Lajmet e fundit

Mustafa: Liberalizmi i vizave e drejtë elementare e merituar nga qytetarët e Kosovës

Sië thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, në takim ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e gjithanshëm që është arritur në Kosovë, me theks të posaçëm për përmbushjen e të gjitha kritereve dhe rekomandimeve për liberalizmin e vizave.

Mustafa, po ashtu, foli për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për proceset evropiane, siç është vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri veçoi rëndësinë që ka për Kosovën fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, pas ratifikimit edhe në Parlamentin Evropian.

Duke falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e dhënë për Kosovën, kryeministri Mustafa, ritheksoi se qytetarët dhe Qeveria e Kosovës presin që Komisioni Evropian shumë shpejt të jap rekomandimin pozitiv dhe datën për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Institucionet e Kosovës, në nivelin qendror dhe lokal, kanë përmbushur me përgjegjësi maksimale të gjitha kriteret dhe rekomandimet lidhur me liberalizimin e vizave. Andaj, ne presim që këtë të drejtë elementare për të lëvizur në vendet e BE-së ta kenë edhe qytetarët tanë, në mënyrë që të kenë mundësi për lëvizje të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës”, tha kryeministri Mustafa, transmeton Telegrafi.

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa foli edhe për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për vitin 2016, duke veçuar proceset integruese evropiane, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor.

Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, shprehu përkrahjen e Bashkimit Evropian për progresin në
Kosovë, duke vlerësuar të arriturat dhe objektivat e mëtejshëm të Qeverisë së Kosovës.

Më tej, Eichhorst theksoi rëndësinë e procesit të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Gjatë takimit është biseduar edhe për nevojën e stabilitetit dhe heqjen dorë nga përdorimi i mjeteve të dhunshme, si parakusht për avancimin e proceseve në vend. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.