Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në një konferencë për media ka deklaruar se kanë marrë përkrahje të plotë për marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe për demarkacionin me Malin e Zi por edhe për anëtarësim në UNESCO dhe proceset tjera integruese në strukturat euroatlantike.
Ai tha se kanë marr përkrahjen edhe për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
“Gjatë vizitës jemi takuar me presidentin e KE-së, me shefen për Politikë të Jashtme dhe siguri Federika Mogherinin, ku kemi diskutuar çështje të integrimit në BE, procesin e liberalizimit të vizave dhe çështje tjera integruese si dhe MSA-në. Kemi një përkrahje të plotë. Nuk mund të flas për afate veçmas për liberalizim, por ne do t’i përmbushim deri në fund të nëntorit të gjitha kriteret. Takimet me liderë të shteteve të ndryshëm të botës, kanë qenë takime të rëndësishme ku kemi marr mbështetje për anëtarësim në UNESCO”, tha ai.
Nga të gjitha takimet, Mustafa tha se kanë lobuar për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për integrim euro-atlantik./KosovaPress/