Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në Konferencën Vjetore ka folur për të arriturat e kabinetit që ai drejton në vitin e parë të punës.
Mustafa ka thënë se në kuadër të mundësive që kanë pasur, shumica e dikasterëve kanë bërë punë të mirë, njofton Klan Kosova.
“Qeveria dhe ministritë përkatëse me sukses e kanë përmbushur misionin e tyre”.
Ai ka thënë se vendimmarrja për çështje të mëdha ka qenë në nivel, ndërsa ka theksuar se orientim strategjik i qeverisë që ai drejton është zhvillimi ekonomik i vendit – duke përmendur kështu të arriturat në këtë fushë, njofton Klan Kosova.
“Ajo ka treguar lidershipin e duhur sepse është marr me vendime të mëdha, që nuk është cështje e lehtë dhe rrallëherë has në mirëkuptimin e të gjithëve”.
“Ne jemi të përcaktuar që të punojmë shumë në zhvillimin ekonomik, në integrimet europiane, në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë”.
“Kemi arritur të sigurojmë stabilitet makroekonomik dhe buxhetor, ndërsa rritja ekonomike ka qenë rreth 3,8 për qind”.
“Po ashtu kemi bërë reformat e nevojshme fiskale dhe kemi rritur të hyrat buxhetore”.
“Në fushën e bujqësisë kemi dhënë grante të shumta, me ç’rast janë krijuar rreth 2 mijë vende pune”.
Kryeministri po ashtu ka përmendur si sukses arritjen e marrëveshjeve me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim.
Në pyetjet e gazetarëve lidhur me kërkesat e Opozitës, Mustafa ka thënë se “dorëheqje duhet të japë Opozita – dorëheqje nga gazi lotsjellës”.
Sa i përket protestës së 9 janarit dhe mundësisë që të bie qeveria me këtë rast, ai ka thënë se besim ka tek qytetarët – ndërsa ka shtuar se është parë se Opozita nuk e ka mbështetjen e tyre.
“Unë kam besim të plotë tek qytetarët, që janë treguar të pjekur, dinjitoz dhe të matur”.