Kryeministri i vendit Isa Mustafa theksoi se ai dhe Qeveria që drejton e përkrahin nismën e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe do të respektojnë në plotësi çdo mendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me atë se a është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe e nënshkruar me 25 gusht në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij ky institucion është arbitri kryesor për të vlerësuar këtë marrëveshje. Këto deklarata Mustafa i bëri një ditë pasi së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi dhe me ministri e Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociim në Strasburg.
Në konferencën për media dy nënshkruesit e marrëveshjes dhe ministri Thaçi uruan qytetarët e Kosovës për këtë arritje të cilën e quajtën historike dhe më të rëndësishmen që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Krerët institucionalë në këtë paraqitje thanë se shpresojnë që marrëveshja të ratifikohet në Kuvend dhe se opozita përveç që nuk do të bllokoj këtë ratifikim, nuk presin që të ketë ndonjë deputet që do të jepte votën e tij kundër marrëveshjes.
I pari i Qeverisë Mustafa e vlerësoi këtë marrëveshje si njërën ndër ditët më të rëndësishme të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë për çka tha se më meritorët për këtë arritje janë qytetarët e Kosovës.
Ministri i Integrimeve Evropiane Çollaku tha se arritja e kësaj marrëveshjeje konsiston me një moment delikat dhe të vështirë për Kosovën, pasi që vendi vazhdon të mos njihet nga pesë shtete të Bashkimit Evropian.
Çollaku po ashtu deklaroi se shpreson qe këtë vit do ta marr Kosova rekomandimin pozitiv për heqje të vizave duke siguruar qytetarët e Kosovës se viti 2016 do të jetë viti kur ata do të lëvizin lirshëm në BE.
Lidhur me bojkotimin e mundshëm të opozitës për ratifikimin e MSA-së, nënkryetari i Qeverisë dhe ministër i Jashtëm Thaçi deklaroi se nuk beson që ka deputet që do të votonte kundër kësaj marrëveshjeje kaq të rëndësishme për vendin.
Sipas Thaçit, veprimet e fundit të opozitës do të pengojnë shtetin në proceset që ka nisur por assesi nuk do ta bllokojnë atë.