Lajmet e fundit

Mustafa: Qeveria e vendosur të vazhdojë dialogun – marrëveshjet pritet të marrin mendimin e organeve kompetente

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ndihet i nderuar që takoi sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry.
“E njoftova për situatën aktuale në vend dhe për prioritetet e qeverisë. E falënderova, atë, qeverinë dhe popullin amerikan, për përkrahjen që po i japin dhe i kanë dhënë Kosovës. Kjo ndihmë ka të bëjë, ndër tjerash edhe në shlyerjen e borxhit të jashtëm, në sektorin e edukimit, mbështetjen e policisë, prezencën e trupave të KFOR-it, të mbështetjes së FSK, si dhe për kujdesin që qeveria amerikane tregoi për popullin tonë gjatë luftës”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, Kosova e vlerëson lart mbështetjen amerikane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për miqësi të përjetshme me SHBA-të.

Mustafa gjithashtu, gjatë një konference të përbashkët me sekretarin Kerry ka shtuar se Qeveria e Kosovës po punon për mirëqenie, si dhe miqësi me fqinjët, si dhe integrimin e serbëve.

Duke folur për dy marrëveshjet e kontestuara nga Opozita, Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës është e vendosur të vazhdojë dialogun ndërsa marrëveshjet pritet të marrin edhe mendimin e organeve kompetente.

Kryeministri Mustafa gjithashtu ka përshëndetur edhe ftesën e anëtarësimit të malit të zi në NATO.

“Qeveria tani po punon në ndërtimin e Kosovës së Re, jemi duke punuar në tërheqjen e investimeve dhe në këtë drejtim të investitorëve amerikanë. Vlerësojmë përkrahjen tuaj në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare dhe njohjet”, ka thënë ndër tjerash kryeministri Mustafa.

Leave a Reply

Your email address will not be published.