Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi me të cilin institucionet kompetente zotohen që gjatë procesit zgjedhor të sigurojnë furnizim të rregullt me energji elektrike.
Marrëveshja është nënshkruar nga kreu i MZHE-së, Fadil Ismajli dhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtuesit e ZRRE-së, KEK-ut, KOSTT-it dhe KEDS-it.
Ministri, Fadil Ismajli tha se ky nënshkrim është një prej veprimeve që të sigurohemi që këto zgjedhje të kalojnë në mënyrë sa më të mirë, prandaj me këtë rast ka ftuar të gjithë operatorët përfshirë edhe ZRRE-në.
Sipas tij, të gjithë operatorët e sektorit të energjisë, KEK, KOSTT dhe KEDS kanë bërë përgatitjet në nivelin e duhur që ditën e diel, e hënën dhe e martë të ketë furnizim të rregullt në gjithë Kosovën. Po ashtu janë marrë masat edhe për sigurimin e energjisë së mjaftueshme në qoftë se do të vjen deri te rënia e ndonjë blloku të TC-ve.
Ismajli ka falënderuar me këtë rast Republikën e Shqipërisë dhe KESH-in për zotimin e tyre se në rast nevoje ata do të jenë të gatshëm të ndihmojnë furnizimin e vendit me energji.
Ai tha se nuk pritet të ketë befasi, ndërsa ekipet e operatorëve do të jenë të gatshme dhe do të ketë edhe kujdestari 24 orë në secilin regjion të Kosovës në rast nevoje.
Nga ana e saj, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se sot është nënshkruar një marrëveshje mes KQZ dhe MZHE-se me të cilën garantohet se në ditën e zgjedhjeve do të kemi drita dhe mundësia e manipulimit do të zvogëlohet.
Daka tha se shpreson se që të mos përsëriten rastet e zgjedhjeve të kaluara, kur pati prishje dhe shtoi se janë marrë masat që të procesi të shkojë në rregull, ndërkaq nënvizoi rëndësinë e këtyre zgjedhje për qytetarët e Kosovës.
Ndryshe, para nënshkrimit të Memorandumit me KQZ-në, ministri Ismajli zhvilloi një takim me drejtuesit e operatorëve të energjisë në Kosovë; ZRRE, KOSTT, KEK dhe KEDS nga të cilët kërkoi një bashkërendim mes tyre për mbarëvajtje të sistemit energjetik dhe furnizim të pandërprerë me energji elektrike në ditët në vijim, deri në përfundim të tërë procesit zgjedhor.